Pas aksionit të një dite më parë që rezultoi me mbylljen e komunës paralele serbe në Skenderaj, Policia e Kosovës ka intervistuar sot kryetarin e ashtuquajtur të kësaj komune, Basilije Tomaseviq. Njohësit e politikës vlerësojnë se veprime të tilla është dashur të mirren më herët.
Shiritat e perimetrit të sigurisë janë vendosur.
Të enjten u panë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Një shtëpi tash e shumë vite u përdor në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës nga strukturat ilegale serbe.
Pas këtij aksioni të policisë, për intervistim është thirrur kryetari i ashtuquajtur i komunës paralele të Skenderajt, Basilije Tomaseviq.
E sa qëndroi ekipi i televizionit në këtë lokacion, aty erdhën edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërkaq, në objektin tashmë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Financave, në lagjen e Boshnjakeve, erdhën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Elbert Krasniqi e kryetari i kësaj komune, Erden Atiq.
Sveçla në një përgjigje të shkurtër tha se kjo është rutinë ditore e punës.
“Punë e zakonshme, punë të zakonshme në orarë të punës, kalofshi mirë”, tha Sveçla.
Për mbylljen e komunave paralele serbe, asamblisti i komunës së Mitrovicës veriore, Betim Musliu deklaroi se të njëjtat ka qenë dashur të mbyllën më herët.
“Këto kanë ekzistuar jo që kanë kryer ndonjë punë, por e kanë arsyetuar pagën e atyre personave që e kanë marrë, ata persona që e kanë marrë pagën nga institucionet e Serbisë, si kryetari i Skenderajt, një zyrtar ose një drejtorie i komunës së Skenderajt pa shkua asnjëherë atje, këtu i kanë pas disa dokumente. Institucionet tona besoj e kanë ditur, besoj ka ardhë koha që t’ju jepet fund këtyre gjërave”, tha asamblisti në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani.
Sipas analistit nga veriu, Branislav Krstiq, veprimet e qeverisë për mbylljen e komunave ilegale serbe, qojnë në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë.
“Je në rrugë duke e plotësuar obligimet e veta, sipas marrëveshjes e Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Që do të thotë një shtet, një polici. Një shtet, një pushtet, edhe këto mbylljet e ashtuquajtur komunat paralele më duket se është shfaqje e lojës, vetëm jemi në rrugë të implementimit të aneksit të Ohrit”, tha analisti, Branislav Krstiq.
Në total, Qeveria e Kosovës ka mbyllur dhjetë komuna paralele serbe, në veri dhe komuna tjera të vendit.