Anëtari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Nol Nushi, ka deklaruar se është fakt që zgjedhja e presidentes Osmani ka qenë e kushtëzuar nga Lista Serbe.
Sipas Nushit, dëshmi për këtë është prania e deputetëve Fadil Gashi dhe Adem Hoxha të cilët janë parë duke votuar në raundin e tretë pas dështimit të dy raundeve të para.
“Këta janë në krizën e deklarimeve të tyre dhe të standardit të cilin e kanë krijuar vetë. Këta kanë thënë se nuk jemi të kushtëzuar nga Lista Serbe. Kjo nuk është e vërtetë. Zgjedhja e presidentes ka qenë ekskluzivisht e kushtëzuar nga prania e dy deputetëvë të listës serbe. Kjo është fakt, nuk është interpretim i imi. Janë njerëzit në seancë duke votuar, pra këtë nuk mund ta ndërrojë dikush, faktet nuk mund t’i ndërrojnë e as t’i interpretojnë ose janë ose nuk janë. Ne i kemi parë me sy Fadil Gashin dhe Adem Hoxhën në raundin e tretë pasi që dy raundet e para dështuan”, ka thënë ai në emisionin “ Ditari”, në tëvë1.
Më tej, Nushi i ka dhënë të drejtë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behxhet Pacollit i cili të mërkurën për Tëvë1 deklaroi se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka folur me Milan Radoiciqin në prezencën e saj dhe kryeministrit Kurti, ku sipas tij u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit.
Nushi u shpreh se nëse i shohim faktet del që Pacolli ka të drejtë se pa ato dy vota Vjosa Osmani nuk do të ishte presidente.
“Por për këtë tregtim apo peshkim siç e quajti Pacolli është Fatmir Sheholli që e tregon edhe si ka ndodhur, tregon si Haxhi Avdyli e ka thirrë atë e na duhet edhe një deputet. Të gjitha këto janë dëshmi, nuk ka rëndësi kujt i besojmë ne, nëse i shohim faktet po del që Pacolli ka të drejtë pa ato dy vota Vjosa Osmani nuk do të ishte presidente. Tash a është njejtë e kushtëzuar nga Lista Serbe kjo nuk është meritë e kësaj qeverie është meritë e numrit të madh të votave, pra këta po të kishin pasur më pak vota e më shumë nevojë për Listën Serbe nuk kanë qenë kundër koordinimit me të pra qëllimin e kanë pasur me u koordinu qoftë edhe për një votë e a bën për një a e bën për dhjetë dallimi është vetëm në sasi jo në cilësinë e kësaj marrëdhënie”, ka shtuar ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli për Tëvë1 të mërkurën ka thënë se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka folur me Milan Radoiciqin në prezencën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij në këtë bisedë telefonike u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit
Ndërsa, zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu të mërkurën për televizionin tha se deklarata e Pacollit ka qenë e pavërtetë.
“Edhe një herë, në asnjë bisedë telefonike që ka bërë deputeti Behgjet Pacolli me kriminelin Millan Radoiçiq, e të cilën ai vetë po e pranon, nuk ka qenë i pranishëm KM Kurti. Është krejt e pakuptimtë që një deputet i Kuvendit që dikur ka qenë edhe ministër i Punëve të Jashtme të insistoj në një të pavërtetë të tillë. Z. Pacolli nuk ka nevojë t’i arsyetojë komunikimet që ka mundur t’i ketë me Radoiçiqin. Sepse tek e fundit ai ka qenë ministër i Qeverisë e cila është formuar me votat e Listës Serbe e për të cilat kanë pritur orë të gjata në Kuvend derisa ata ktheheshin nga Beogradi. Ai ka qenë në koalicion me Listën Serbe të Radoiçiqit. Besoj që komunikimin e kanë pasur të rregullt me ta”, ishte reagimi i Kryeziut./teve1.info/