Lajme

Detaje nga shpërthimi i kazanit në Termocentralin Kosova A

Një kazan ka shpërthyer në Termocentralin Kosova A. Për këtë shpërthim ka njoftuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala e pas tij kanë reaguar Korporata Energjetike e Kosovës. Sipas tyre, problemi ka ardhur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve.

Në Termocentralin Kosova A, të premten ndodhi një shpërthim.

E si shkak i shpërthimit të një kazani në A4 pati edhe zjarr jashtë njësisë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në këtë institucion, Haxhi Krasniqi tha se ka pasur një avari por sipas tij është normale.

Për këtë zjarr, me njoftim dolën edhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Sipas KEK-ut, njësia A4 është ndalur për shkak një problemi me kabllot e matjeve.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A. Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është ç’kyçur nga puna në mënyrë të rregullt. Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ishte ai që njoftoi për këtë shpërthim.

Sipas Shalës, dëmet dhe pasojat për këtë prishje janë të mëdha.

Nga ky shpërthim nuk ka pasur lëndime në njerëz.