Lajme

Renovohet çerdhja “Xixëllonjat” në Prishtinë, investimi kushtoi 2.5 milionë euro

Të premten është përuruar institucioni parashkollor “Xixëllonjat” në Prishtinë i cili është rinovuar tërësisht. Renovimi i kësaj çerdhe ka zgjatur rreth 2 vjet dhe i ka kushtuar buxhetit të kryeqytetit 2.5 milionë euro. Në këtë çerdhe do të edukohen rreth 250 fëmijë.

Pas dy vjetëve punë, të premten u përfundua renovimi i objektit të çerdhes “Xixëllonjat” në Prishtinë.

Me ceremoni, kryetari i kryeqytetit Përparim Rama së bashku me drejtoreshën për arsim, Jehona Lushaku, përuruan objektin e ri të këtij institucioni.

Brenda kësaj çerdhe do të edukohen rreth 250 fëmijë.

I pari i kryeqytetit, gjatë fjalës së tij tha se përmes këtyre projekteve po krijohen kushte më të mira për këta fëmijë.

“Një institucion i cili tash mundëson më shumë se 250 fëmijë tanë me qenë pjesë me kalu kohë këtu me ekipe tonë të mrekullishme të institucionit “Xixëllonjat”. Është me rëndësi shumë të madhe që të krijojmë kushte të mirëfillta dhe me të mira të mundshme për me të vegjlit tanë sepse këta janë e ardhmja jonë.” ka thënë Rama.

E të përkushtuar në kryerjen e punimeve të kësaj çerdhe, u shpreh edhe drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku.

“Për këtë ditë, ka gjashtë muaj që kam ardhur në “Xixillonjë” dhe kemi bërë një punë tërë ditore bashkë me drejtoreshën bashkë me stafin e kopshtit dhe bashkë me ndërmarrjen banesore që na ka ndihmuar të përfundojmë punimet  me suksese në këtë ndërtesë.”, deklaroi Lushaku.

Të kënaqur me objektin e ri të këtij institucioni parashkollore janë edhe prindërit/

“Mirë me thënë të drejtën sa mujtem me pa tash në hapje po doket shumë mirë uroj shendet për fëmijet dhe ishalla kemi me pas shumë suksese të mira.”, ka thënë prindi, Adelina Kokollari.

“Kushtet e mira me ka pëlqy, janë komfor me fëmijë, janë banjot komoditeti i fëmijëve janë shtetarit e krejt këto me radhë.”, deklaroi prindi, Luljeta Selimi.

Renovimi i çerdhes “Xixëllonjat”, komunës së Prishtinës i ka kushtuar 2,5 milionë euro, ndërsa edhe pesë institucione të tjera parashkollore janë në renovim e sipër.