Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se të enjten e kaluar është mbajtur mbledhja e anëtarëve të Kuvendit komunal dhe kryetarëve të komunave.
I ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Ibrahimi thotë se i ka rregulluar çështjet me statutin e Asociacioneve të komunave të Kosovës.
“Ne e kemi thirrur Kuvendin të enjten e kaluar ku ka pasur anëtarë të Kuvendeve komunale të komunave përkatëse por edhe kryetarë të komunave. Në kuvendin tonë të gjithë janë të barabartë edhe kryetarët e komunave edhe anëtarët e kuvendeve komunale, ne i kemi të rregulluar çështjet me statutin e Asociacioneve të komunave të Kosovës”, ka deklaruar Ibrahimi.
Madje, Ibrahimi ka treguar për ecurinë e agjendës, e cila sipas tij ka qenë pjesë e marrëveshjes në Bordin e Asociacionit.
“Në fillim të takimit kryetari i Asociacionit e ka propozuar agjendën e cila ka qenë si pjesë e marrëveshjes në Bordin e Asociacionit për thirrjen e Kuvendit sepse në bazë të statutit tonë kryetari i Asociacionit e ka të drejtën për thirrjen e Kuvendit, i gjithë dokumentacioni relevant për mbajtjen e këtij Kuvendi është dërguar me kohë në bazë të statutit tonë”, tregoi Ibrahimi.
Ndryshe, Ibrahimi ka paralajmëruar se nëse kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj nuk kërkon falje, ai do të bënë padi për shpifje.
“Unë i kërkoj me mirësjellje kryetarit Rrahimaj se të gjitha këto akuza të paargumentuara që t`i tërhjek në mënyrë publike apo të kërkoj falje publike, mirëpo nëse deri ka mesi i javës së ardhshme kryetari Rrahimaj nuk e bënë një falje publike apo një kërkim falje njerëzore apo nuk i tërheq këto fjalë jam i obliguar që të bëjë padi për shpifje ndaj kryetarit të një komune, që nuk ka ndodhë kurrë në rastin e Asociacionit që me pas një akuzë të tillë ndaj kryetarit të komunës, por jam i obliguar sepse ka disa vite që unë sulmona padrejtësisht në këtë mënyrë”, ka theksuar Ibrahimi.
Javën e kaluar, në mbledhjen e Kuvendit të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, pati një përleshje fizike mes kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci e atij të Kamenicës, Kadri Rahimaj. Kjo erdhi pasi që kryetarët që vijnë nga LVV kërkuan të ketë transparencë me prani të medieve. Derisa Lladrovci tha se është skenar i partisë në pushtet për largim të vëmendjes./teve1.info/