U mbushën 23 vjet që kur u vranë mizorisht gazetari i ‘Bota sot’, Bekim Kastrati dhe truproja i Presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajaku.
Në këtë atentat, kishte mbetur i plagosur rëndë edhe Gani Geci, ish-deputet i LDK-së.
Edhe pas më tepër se dy dekada, këto vrasje nuk u zbardhen asnjëherë plotësisht, ngjashëm sikurse edhe shumë vrasje të tjera të kryera pas luftës në Kosovë.
Shpresa u ngjallë atëherë kur u formua Gjykata Speciale, të paktën ishte një ‘dritë’ për familjarët e të vrarëve, të cilat vazhdimisht presin drejtësi nga kjo gjykatë, dhe jo më nga drejtësia e Kosovës.
Lidhur me këtë vrasje, për ‘Bota sot’ ka folur një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit Rugova, dhe njëherit edhe kolegu i gazetarit Bekim Kastratit, Skender Zogaj.
Ai kritikon institucionet e Kosovës që nuk zbardhën këtë vrasje të Kastratit, vrasësit e të cilit thotë se nuk janë njerëz, por gjakpirësa.
Zogaj: Institucionet e shtetit janë të kapura nga nëntoka e krimit dhe korrupsionit të organizuar
“Me Bekim Kastratin kemi qenë koleg, në gazetën “Bota sot” dhe kemi pasur një bashkëpunim të afërt dhe shumë të ngjeshur. Bekimi ishte një djalosh shembullor, i urtë dhe me një edukatë të mirëfilltë intelektuale, që po profilizohej në gazetari, ku shquhej me prirjen për shkrime nga kultura. Si redaktor i faqeve të kulturës më ka rënë të kem bashkëpunim më të afërt, prandaj them se e njoha më mirë se kolegët e tjerë. Evokova kohën e bashkëpunimit për të thënë se, ata që e kanë qëlluar me plumba Bekim Kastratin nuk janë njerëz, por janë bisha të egra, janë gjakpirës! Dhe është për t’u habitur, si ka mundësi që drejtësia kosovare të tregohet kaq neglizhente dhe që plotë 23 vjet nuk arrin që ta zbardh këtë vrasje makabre”, thekson Zogaj.
Ai thotë ndër të tjera se, moszbardhja e vrasjes së Bekimit është e kushtëzuar nga vrasjet e tjera të shumta politike, që gjithashtu nuk janë zbardhur.
“E kjo ka ndodhur sepse, strukturat e krimit janë më të forta se drejtësia, prandaj e kanë penguar dhe vazhdojnë ta pengojnë. Kjo tregon se institucionet e shtetit janë të kapura nga nëntoka e krimit dhe korrupsionit të organizuar, kështu që, vrasjet mbesin në errësirë! Kjo gjendje është tmerruese, sepse, janë vrarë bijtë dhe bijat më të mira të atdhetarisë, ndërsa drejtësia hesht, se nuk guxon të veprojë”, vlerëson Zogaj për ‘Bota sot’.
Ai thotë po ashtu se, derisa të jemi kështu, nuk mund të themi se jemi të lirë dhe të pavarur.
“Por, kjo patjetër që një ditë do të ndryshojë, sepse gjaku kurrë nuk humbet. E nxjerrë bima nga toka. Por, deri atëherë nuk mund të mos e pranojmë mallkimin që po na mbanë të mbërthyer, dhe se kjo po ndodh sepse, në njëfarë mënyre të gjithë jemi bashkëfajtorë që plagët e Kosovës nuk po shërohen edhe 25 vjet pas daljes nga robëria”, thotë Zogaj.
Tahiraj: Me vrasjen e Besimit u vra lufta për liri, u vra vetë liria, u vranë institucionet e Kosovës
Po ashtu për këtë ҫështjen e vrasjeve të pasluftës ka folur edhe Saim Tahiraj, bashkëluftar i Salih Ҫekaj.
Ai thotë se, gjatë luftës dhe pas saj, u organizuan mirë dhe nga një qendër urdhëruan shumë vrasje me motive politike, që për qëllim kishin eliminimin definitiv të strukturës udhëheqëse të LDK-së dhe Presidentit Rugova.
“Qëllimi tjetër ishte, që me këto vrasje të futet frikë dhe panikë, në mënyrë që askush mos të ketë guximin të flasë, e le më të veprojë diçka konkrete për të ju kundërvënë këtyre veprimeve kriminale. Disa gazetarë të guximshëm, e që ishin të pak, fatkeqësisht, shkruanin guximshëm dhe demaskuan bandat kriminale që kryenin krimet makabre”, thotë Tahiraj.
Duke u lidhur me rastin në fjalë, Tahiraj thotë se njëri ndër më të guximshmit ishte edhe Bekim Kastrati i cili u ekzekutua për tu fshehur e vërteta dhe për të ju mbullur goja të tjerëve.
“Me vrasjen e Bekimit u vra fjala e lirë, u vra e vërteta, u vra gazetaria e Kosovës. Krah Bekimit u vra luftëtari i lirisë dhe pjesëtari i sigurimit të Presidentit Rugova, Besim Dajaku. Me vrasjen e Besimit u vra lufta për liri, u vra vetë liria, u vranë institucionet e Kosovës. Për ta rrumbullaksuar, u vra vetë shteti i Kosovës’, vlerëosn ai.
Ai thotë se, sot e 23 vite, organet e drejtësisë në Kosovë heshtën dhe me heshtjen e tyre u vra drejtësia në Kosovë.
“Heshti sepse ishte e kapur nga bandat kriminale që u thirrëshin nė emër të luftës, pra nuk kishte drejtësi në Kosovë. Mu për këto dështime fatale, detyrimisht u themelua Gjykata Speciale me seli në Hagë. Ishte imperativ i kohës, ishte e vetmja mënyrë që drejtësia të vihet në vendin e vet. Uroj që kjo Gjykatë të merret edhe me rastin e Bekimit dhe Besimit dhe më në fund të vihet drejtësia në vendin e vet. Kjo, së paku do të ishte një lehtësim për familjarët dhe një mesazh i mirë për opinionin shqiptar, se ka drejtësi në këtë shtet. Kjo Gjykatë është e vetmja shpresë që sytë i kanë kthyer kah ajo, të gjithë familjarët e të vrarëve me shpresën se drejtësia do të triumfojë më në fund”, thotë Tahiraj për ‘Bota sot’.
Ndryshe, 23 vjet më parë, pas një atentati të organizuar mirë nga grupet kriminale, kanë mbetur të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe Besim Dajaku, pjesëtar i sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova.
Në këtë atentat, kishte mbetur i plagosur rëndë edhe Gani Geci, ish-deputet i LDK-së.
Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kishte hetuar këtë vrasje makabre, por pas një kohe kishte pushuar hetimet. EULEX-i kishte bërë të ditur se Agron Sylejmani, ishte personi i identifikuar për atentatin e 19 tetorit të vitit 2001.