ShowBizzz

Sherri me LedrI Vulën dhe përpjekjet për t’u bërë pjesë e ekranit, jeta e re e Sara Hoxhës në Tiranë

Që pas ndarjes nga Ledri Vula, jeta e Sarës ka pësuar ndryshim të madh. Blogerja u rikthye menjëherë në Tiranë, ku aktualisht po jeton me vajzën e saj. Me të vulosur këtë ndarje, ajo menjëherë mori një shtëpi të re, dhe nga rrjetet sociale kemi parë se po merret vetë me arredimin.

Ashtu edhe si ka deklaruar në intervistat e saj të rralla, Sara po tenton të bëhet pjesë e kinematografisë, ku aktualisht ka xhiruar një film të dytë. Paralelisht, ajo prej disa kohësh ka hapur edhe një biznes të sajin, duke provuar veten edhe në sipërmarrje.

Megjithatë, prioriteti i saj është absolutisht televizioni. Kohët e fundit, gjithnjë e më shpesh ajo është parë në korridoret e televizionit, ku dhe nga burime bëhet me dije se ajo ka kërkuar moderimin e një formati televiziv, por deri më tani emri i saj nuk është konfirmuar si moderatore.

Në pamundësi për të qenë si drejtuese, Sara ka vendosur që të dalë në media, por jo në intervista, ku rrjedhimisht nuk do t’i shpëtojë pyetjeve për Ledrin. Kështu, nga të gjitha ato ftesa që ka marrë, Sara ka pranuar të jetë prezente vetëm në “Portokalli”, ku pjesëmarrja e saj do të kalojë me batuta dhe humor, duke i shpëtuar kështu pyetjeve për Ledrin.

Ndonëse sezoni televiziv ka nisur, Sara ende është në pritje që në dhjetor të jetë pjesë e televizionit, si moderatore, ndonëse deri më tani nuk ka marrë një përgjigje pozitive. Teksa romanca e re e Ledri Vulës ka bërë bujë në mediat rozë, duket se reperi dhe ish-partnerja e tij Sara Hoxha kanë “vulosur” fundin e marrëdhënies së tyre.

Edhe pse ish-çifti janë përfolur për ndarje prej më shumë se një viti, sërish vazhdonin të ndiqnin njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Por, pas publikimit të fotove të Ledri Vulës me të dashurën e re, Rina Zaiti në rrugët e Londrës, ish-çifti kanë “zhdukur” njëri-tjetrin nga Instagam, ndonëse blogerja ka ende disa nga fotografitë e tyre në profilin e saj. Duket se pas ‘zhdukjes’ nga rrjetet sociale qëndron edhe një debat i fortë që ish-çifti ka bërë pasi në media doli lajmi për lidhjen e Ledrit me Rinën.

Të gjithë pyesnin për Rina Zaitin, ja disa të dhëna për vajzën e cila i ka ‘vjedhur zemrën’ reperit shqiptar. Si fillim, Rina është motra e Ron Zaitit. Ron Zaiti është një këngëtar i ri, i cili famën më të madhe e mori në bashkëpunimin me Dafina Zeqirin, “Murder on the dancefloor”.

Më pas ai bashkëpunoi me Semi Jaupajn në “All your lovin”, me DJ Geek në “Ganja”, sërish me Dafinën me “Boma ni tel” e kështu me radhë. Aktualisht ka vijuar me projektet e tij pasi siç dihet, bashkëpunimeve me Dafinën u erdhi fundi për arsye që nuk u bënë të ditura nga dyshja. Profesioni i Rinës është estetiste thonjsh. Ajo ka një studio me emër ku nuk mungojnë as klientet VIP.

Sigurisht, gjatë kohës që vëllai i saj bashkëpunonte ende me Dafinën, artistja ia besonte asaj imazhin. Dukej se vajzat kishin miqësi shumë të mirë, por më vonë nuk janë parë më bashkë. Rina ka pasur edhe një raport miqësor me Sara Hoxhën, ish-partneren e Ledrit. Interesant është fakti që vetëm një muaj më parë, Rina kishte komentuar në postimet e Sara Hoxhës, duke e përshkruar atë si “mama të bukur”. Ky koment ka tërhequr vëmendjen e publikut, pasi lidhja e Rinës me Ledrin është pranuar si e vërtetë nga ndjekësit, duke ngritur pyetje për lidhjen e saj me ish-partneren e reperit.

Një tjetër element intrigues është lidhja e Rinës me Dafina Zeqirin, një mikeshë e ngushtë e saj dhe ish-partnere e Ledrit. Kujtojmë se Dafina kishte pasur një debat publik virtual me Ledrin dhe Sarën kur ata ishin ende bashkë, dhe raportet mes Dafinës dhe Sarës ishin, gjithashtu, të ngarkuara. Megjithatë, edhe pse Sara dhe Dafina ishin mikesha të mirë për një kohë, miqësia e tyre u prish pas zënkës.