Ministri Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se nuk ka pranuar njoftim zyrtar pas raportimit në media se ai është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale për rastin me ambalazhuesit e ujit, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtar.
Aliu ka thënë se është i hapur për bashkëpunim për çdo çështje.
“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti”, ka shkruar ai në Facebook.