Avokati Romeo Kara foli në një emision televiziv mbrëmjen e sotme mbi arrestimin e ish presidentit Ilir Meta me urdhër të SPAK. Kara që është kallëzuesi në SPAK i aferës CEZ/DIA thekson për Arbër Hitajn se nga kjo aferë Shqipëria u zhvesh nga një prej pasurive të vendit si energjia.
‘Kemi pasur një Pazar zhveshje e vendit nga këto siguri dhe pasuri si energjia. Paratë paguheshin nga shqiptarët dhe ndaheshin 50 me 50. Objektivi fillestar ka qenë 230 milion euro. Por me kohë do prodhoheshin borxhe të reja dhe para të reja. Dhe më të fituar do dilnin mbledhësit e borxheve. Gruaja e Kastriot Ismailaj la të kuptohet se Meta kërkoi 10 milion euro. Ka rëndësi të shohim sa është dëmi. Vetëm për një lëvizje të energjisë dëmi është 35 milion euro.’
Dëshminë kryesore e ka dhënë Elvis Mata, ish kreu i LRI, me çantën me 200 mijë euro brenda.
‘Dëmi duhet parë me laps në dorë. Unë e kam thënë 39 milion euro aty por mendoj se është më lart. Që të mos ketë kundërshtim. Aty ka dëm. Pjesa e parë është shpërdorimi i detyrës. Ka marrë çantën 200 mijë euro. Elvis Mata e ka thënë me dhjetëra herë, çantën e punës nuk iu është kthyer më çanta. Ia ka dhënë Metës. Prokuroria duke hetuar çështjen ka gjetur dhe pasuri të pajustifikuara.’
Ideja për kallëzimin në SPAK nuk erdhi në 2019, siç pretendon Meta, por më herët në 2017 pas videos me intervistën e gruas së Kastriot Ismailajt.
‘E kam ruajtur veten deri tani. Nuk kam thënë që më është afruar Meta apo Berisha për kompromis. Nuk kam abuzuar ndonjë herë. Po të them kërcënime devijon emisioni. Atë që kanë thënë ata, dhunues dhe që jam me probleme mendore. Do ketë ekspert. Mund të dali dhe nesër ai i papërgjegjshëm. Le ta provojë me ekspert unë dhe ai. Është mashtrues. Ai gënjen. Ai është kallëzuar dhe nga dy apo tre të tjerë. Të gjithë jemi të shitur? Ai mashtron në një pikë, kur thotë që kallëzimi është bërë në 2019 me urdhër të Ramës.
E kam bërë kallëzimin në kundërshtim me dëshirat e pushtetit tani dhe atëherë. E kam konceptuar qartë kallëzimin në korrik 2017 me Fatos Mahmutaj ku më bëri të ditur videon me Vojsava Ismailajn. Më çoi disa screenshot nga intervista. Atëherë bëra lidhjen komplet. Pata kërkesa nga dy ministra socialistë të mos e bëja kallëzimin. U ofrova vetë. Nuk u ofrova të më dënojnë mua.’
Avokati shpjegon se Meta dikur ka tentuar ti japë poste, por ai nuk është kompromentuar.
‘Kam qenë i motivuar si një person që ka protestë brenda vetes, nuk ia shes shpirtin as Ramës as politikës shqiptare. Më ka ofruar vetë poste në vitin 2000, nuk pranova.
Këta mendojnë se kanë bërë ndonjë çudi të madhe, se këta janë mjeshtra të mëdhenj. Kam pasur bindjen, e dija që do vinte kjo ditë. Të vazhdojmë dhe të mos ndalojmë. I gjithë establishmenti politik, nga i pari tek i fundit do pësojnë këtë. Ç’është ky popull që ka marrë arratinë?’
Sa i përket mënyrës si ndodhi arrestimi, Kara thotë se duhet marrë zvarrë kushdo që ka kryer pabesi ndaj vendit.
‘Kam ndjerë pështirësi për personin. Vjedh vendin për 30 vjet edhe nuk pranon të respektojë ligjin. Nëse nuk pranon vullnetarisht do përgjigjesh forcërisht. Duhej marrë si top futbolli ky dhe kush guxon ta mbroj këtë. Ka trima ky nga prapa? Këta kanë bërë një pabesi, kanë dorëzuar shtetin e Shqipërisë në dorën e kriminelëve. Të mbarojmë punë sipas radhës.’
Sipas Karas, janë gëzuar gjithë njerëzit sot, madje edhe që janë në burg.
‘Drejtësi të re me brekë të vjetra nuk ka. Drejtësi të re jashtë këtyre 3 partive që janë organizatat më të mëdhaja të krimit. Kanë qenë vetëm në një garë, në zhveshjen e vendit nga pasuritë publike. Drejtësia e re do bëhet me njerëz të tjerë jo me këta.
Janë gëzuar njerëzit. Edhe ata që janë burg.’