Lajme

Shtrëngohen masat në QKUK, s’ka më thonj të gjatë dhe përdorim të bizhuterive në orar të punës

Administrata e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka shtrënguar masat karshi zbatimit të vendimit për respektimin e orarit të punës dhe kodin e veshjes.

Burime të Indeksonlinet bëjnë të ditur se drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi ka themeluar një komision, që ka për detyrë dhe përgjegjësi të adresojë e monitorojë çështjet që ndërlidhjen me vijueshmërinë në punë dhe respektimin e kodit të veshjes që lidhen me punët organizative në QKUK.

Nga ky institucion kanë thënë për Indeksonlinen se janë identifikuar dhjetëra raste të shkeljeve të detyrave të punës.

“Shkelësve të tillë i shqiptohem masa disiplinore me vërejtje me gojë, paralajmërim me shkrim apo vërejtje me shkrim, varësisht nga niveli i shkeljes qoftë të lehtë apo të rëndë. Deri tani janë evidentuar dhe rrjedhimisht janë shqiptuar mbi dhjetë masa disiplinore të natyra të ndryshme dhe mbikqyrja mbi ta vazhdon nga monitoruesi i drejtëpërdrejtë”, thonë nga SHSKUK-ja.

Vonesat në punë, pauzat e stërgjatura, thonjtë të gjatë, përdorimi i buzhutireve në orar të punës, janë vetëm disa nga shkeljet që po sanksionohen nga komisionin në QKUK.

Komisioni i caktuar fillimisht ka nisur një fushatë informimi dhe vetëdijësimi për vijueshmërinë në punë, si edhe respektimin e kodit të veshjes./Indeksonline