Lajme

Rama thotë se tuneli i Kurrizit do të shfrytëzohet edhe për aktivitete kulturore dhe komerciale

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me drejtoreshën e Kulturës, Sibel Halimi kanë inspektuar punimet në tunelin e Kurrizit, pjesë e rigjenerimit urban të Prishtinës.

Rama ka thënë se ky projekt do të përmirësojë qarkullimin dhe infrastrukturën.

“Ky projekt do të përmirësojë qarkullimin dhe infrastrukturën ku përfshihet: Riorganizimi i trafikut dhe hyrjeve e daljeve në ditët e rëndomta kur ka qarkullim të veturave si dhe në ditët kur mbahen aktivitetet; Rritja e sigurisë për këmbësorë, biciklistë dhe vozitësit e automjeteve. Përmirësimi i infrastrukturës së përgjithshme, përfshirë ndriçimin, largimin e ujërave atmosferik dhe largimin e gazrave të emetuara nga automjetet dhe bizneset ekzistuese,duke krijuar një hapësirë të re për qytetarët”, ka shkruar Rama në Facebook.

Madje, ai tha se tuneli do të shndërrohet në një qendër aktive për aktivitetet kulturore dhe komerciale.

“Do të organizohen koncerte, ekspozita dhe festivale, duke sjellë një atmosferë të re në qytet. Përveç kësaj, tregjet e fermerëve dhe panairet lokale, do të bëjnë këtë zonë një pikë të rëndësishme takimi për qytetarët”, tha ndër të tjera Rama./teve1.info/