Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, e ka quajtur të pakuptimtë dhe palogjikë deklaratën e ish-anëtarit të UÇK-së, Fadil Gecit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, i cili të martën tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.
Buja në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka thënë se ai është plagosur në zonën e Nerodimës ku kanë dalë për të inspektuar pozicionet e ushtrisë dhe nuk ka të bëjë aspak me atë që ka deklaruar Geci.
“Kjo është gjëja më e pakuptimtë dhe më palogjikë që është thënë nga ky burrë, sepse ajo nuk ka të bëjë fare me këtë që thotë ky, sepse unë në fakt për komunikatën 59 për të cilën e ka brengën ai dhe familja e tij me të drejtë, unë e kam shprehur reagimin tim edhe para se të jem anëtar i Shtabit të Përgjithshëm se atëherë është lëshuar para se të jem anëtar Shtabi dhe kam thënë pavarësisht se kush e ka lëshuar këtë komunikatë dhe si e ka lëshuar unë kam shprehur kundërshti për faktin se ajo familje ata djem mund të jenë gabim për shumëçka, por megjithatë tradhtar të kombit nuk janë. Por është krejt pa sens palogjikë të thuhet se unë jam plagos për shkak se kam mbrojtë atë familje. Jam plagosur në zonën e Nerodimes, në fshatin Petrovë ku ne kemi dalë për të inspektuar pozicionet e ushtrisë aty e kam ngrënë plumbin por kjo nuk ka të bëjë asnjë gjë me atë që sot thuhet në një vend kun ë fakt do të duhej e vërteta dhe vetëm e vërteta”, ka thënë Buja.
Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci, të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, deklaroi se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.
“Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë./teve1.info/