Lajme

Gashi kërkon hetime për përfshirjen e Mihalit në tregtimin e rrymës dhe ndërhyrjet në KEK

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, Kuvendi duhet të zhvillojë debat të hapur për masat që duhet të merren për të përmirësuar menaxhimin në KEK, për të rritur transparencën dhe për t’i ndaluar ndërhyrjet e paligjshme.

Gashi në seancën e jashtëzakonshme lidhur me skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës tha se po mundohen t’i sqarojnë zhvillimet brenda KEK-ut dhe të flasin për përgjegjësinë e menazhimit me këtë korporatë.

Ai përmendi skandalet me tenderët njëburimorë dhe mungesa e konkurrencës në prokurimin publik në KEK, shitblerjen e energjisë elektrike që tha se ka ngritur shqetësime të mëdha. Ai përmendi koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvenosje, Dejona Mihali, për të cilën kërkoi hetim të plotë, për rolin e saj dhe ndikimin në KEK.

“Kjo seancë është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të gjerë parlamentar lidhur me situatën alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat kanë dëmtuar funksionimin dhe integritetin e kësaj ndërmarrjeje jetike për vendin”.

“Raportet tregojnë se KEK ka lidhur kontrata jo të favorshme që kanë dëmtuar stabilitetin financiar të korporatës. Një çështje tjetër që duhet të diskutohet dhe për të cilën Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë qëndrimin e vet është përfshirja e personit të quajtur Dejona Mihali dhe ndërhyrjet e paligjshme në KEK, përfshirë punësimet e paligjshme”.

Gashi propozoi një rezolutë që përfshin kërkesën që organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik.

Rezoluta e propozuar nga Gashi:

“Përmes këtij dokumenti, Kuvendi kërkon që të hetohen të gjitha skandalet në KEK: 1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente, që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht. 2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushte të favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.”, thuhet në dy pikat e para të rezolutës. Më pas, projektrezoluta kërkon që të hetohen ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, duke përfshirë rolin e Dejona Mihalit. 3. Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK. 4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme. 5. Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale. 6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qëllim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes. 7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës në ndërmarrje”.