Të premten, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit lidhur me mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse “ËE finance Code”.
Sipas njoftimit, kjo Marrëveshje paraqet përkushtimin dhe zotimin e BQK-së për të mbështetur dhe kontribuar në nismat dhe zhvillimet e nevojshme në sektorin financiar, të cilat mundësojnë rritjen e qasjes në financa për gratë në biznese të vogla dhe të mesme, në funksion të rritjes së përfshirjes financiare, mbrojtjes së konsumatorit dhe edukimit financiar përmes që është në linjë me Planin Strategjik të BQK-së.
Guvernatori Ismaili gjatë nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje me Zëvendëspresidentin e BERZH-it, Mark Bowman, ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm që do të kontribuoj në rritjen e përfshirjes financiare në Kosovë duke siguruar një qasje të barabartë në resurset financiare e veçanërisht për gratë ndërmarrëse.
“Marrëveshja e Mirëkuptimit me BERZH-in paraqet një rast të veçantë duke ofruar mundësi për të punuar në funksion të gjithpërfshirjes financiare dhe qasjes në financa në mënyrë të barabartë për të gjithë, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin financiar dhe prosperitetin ekonomik në Kosovë”, ka thënë Ismaili.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se, nisma “WE Finance Code” është lancuar vitin e kaluar nga Banka Botërore në takimet vjetore në Marakesh (Maroko), ku edhe BQK ishte pjesëmarrëse e kësaj nisme, dhe sipas njoftimit nënshkrimi i saj pikërisht në takimet vjetore, duke ju bashkuar rreth 30 bankave qendrore dhe institucioneve rregullatore deri tani, paraqet një simbolikë të veçantë të përkushtimit sistematik të bazuar në planin strategjik të BQK-së./teve1.info/