Lajme

Mbyllja e Zyrës Ndërlidhëse, “regres diplomatik” i Kosovës apo rikonstruktim i brendshëm i Sllovakisë?- Flasin ekspertët

Sllovakia, është një nga pesë shtetet e BE-së, që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Madje, tash së fundi, kanë njoftuar se do ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Prishtinë më 31 dhjetor të këtij viti.

Mbyllja e kësaj zyreje sipas autoriteteve është në kuadër të ristrukturimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit.

Derisa, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se përveç zyrës në Kosovë, Sllovakia do të mbyllë edhe ambasadat e saj në Danimarkë dhe Norvegji, si dhe konsullatat e përgjithshme në Krakovë dhe Shën Petersburg.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjikë dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera”, thuhet nga MPJD-ja në përgjigjen dërguar REL-it.

Lama: Padyshim që për Kosovën mbyllja e zyrës është lajm i keq

Por, pavarësisht arsyetimit zyrtar, ish-ambasadorja Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ky vendim i Sllovakisë, tregon se kemi të bëjmë me regres për sa i përket marrëdhënieve diplomatike.

Image
Alma Lama

Lama mbylljen e kësaj zyre e sheh edhe si dështim nga pala e Kosovës, sepse sipas saj, nuk ka kultivuar raporte të mira më këtë shtet.

“Mbyllja e zyrës ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë është tregues se ky shtet ka marrë një qëndrim më negativ në lidhje me njohjen e shtetit të Kosovës, pra kemi të bëjmë me regres për sa i përket marrëdhënieve diplomatike.

Sllovakia me qeverinë e re ka një qasje me proserbe dhe proruse se më herët. Qëndrimi i saj tashmë dallon edhe për sa i përket Ukrainës dhe ashtu sikurse Hungaria nuk është në një linjë me BE. Padyshim që për Kosovën mbyllja e zyrës është lajm i keq, por është edhe dështim i diplomacisë së shtetit të Kosovës për të kultivuar raporte më të mira me këtë shtet”, potencon ajo.

Shabani: Kjo padyshim se ndikon keq për të dy vendet

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, vë në pah faktin se kjo ka shkruar në bazë të narratives serbe.

Ai shton, se mbyllja e kësaj zyre është argument i qartë se Sllovakia nuk do ta njoh Kosovën, por as nuk ka shpresa për marrëdhënie të shëndosha bilaterale.

Image
Amir Shabani

“Sllovakia përsëriti deklaratën e vet zyrtare nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe do respektojnë integritetin territorial të Serbisë, sipas narratives serbe kuptohet.

Mbyllja e zyrës ndërlidhëse, ndërprerja e çdo takimi dhe bisedimi bilateral mes dyja vendeve është argument më se i qartë se njohja e Sllovakisë për Kosovën nuk jep shpresa pozitive dhe realizimin e marrëdhënieve të shëndosha bilaterale. Kjo padyshim se ndikon keq për të dy vendet, mirëpo hovi i Serbisë për këtë lobim të mosnjohjes së Kosovës, sidomos në vendet e BE-së, duhet të ndalohet dhe sanksionohet nga vetë BE-ja”, deklaron ai për “Bota sot”.