ShowBizzz

“Kur ngecni në trafik, dilni nga mjeti”/ Adriana Matoshi ironizon deklaratën e Ramës

Deklarata e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, ku ai sugjeroi që qytetarët të shfrytëzojnë kohën gjatë trafikut për të bërë aktivitete si ecje, telefonata, apo mendime për veten, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.

Ai përmendi gjithashtu eksperiencat e tij në qytete si Londra dhe New York, duke theksuar se nuk është e nevojshme të nervozohesh për vonesat e trafikut kur ato nuk janë nën kontrollin tënd.

Kjo deklaratë është pritur me kritika nga qytetarët që prisnin një zgjidhje për problemin e trafikut dhe jo këshilla për të përballuar atë.

Për këtë arsye, deputetja e Vetëvendosjes dhe njëkohësisht aktorja Adriana Matoshi e ironizoi këtë sugjerim përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në postimin e saj, Matoshi shkruan:

Siç na sugjeron kryetari ynë vizionar, në vend që të nervozohemi gjatë kolonave të përjetshme në Prishtinë, është momenti i përsosur për t’i dhënë vetes një diplomë të re! Çfarë na duhet të shkojmë në universitet me vite të tëra kur mund ta mbarojmë atë gjatë një udhëtimi prej Bregut të Diellit e deri tek Qafa? Në vetëm një javë Drini ka arritur të përfundojë studimet dhe tani po mendon të bëhet profesor gjatë ndalesave të semaforëve! Kështu që, për të gjithë ju që po prisni në kolonë, sot, merrni një libër. Bëni një doktoraturë… Ose ndoshta dy!”.



lokimagazine