Lajme

Provokimet nga ushtria në kufi, Serbia s’do marrëveshje paqeje, Kosovës i mbetet vetëm…

Prania e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën solli shqetësime në Prishtinë deri në atë pikë sa kryeministri Albin Kurti kërkoi të rikthehet zona e sigurisë rreth 5 kilometra në kufirin me Serbinë.

Megjithëse kjo nuk u pa si e domosdoshme nga KFOR, një marrëveshje paqeje shihet si mundësi e mirë që t’i jepet fund aventurave të ushtrisë serbe pranë kufirit.

“Të bëhet një marrëveshje politike, derisa të nënshkruhet një pakt, ku palët pajtohen që lufta ka përfunduar dhe të dyja palët deklarohen se asnjëra palë nuk synon sulm ushtarak ndaj shtetit tjetër”, tha Skënder Përteshi, instituti për siguri dhe reziliencë – prevent.

Edhe pse një traktat paqeje ishte propozuar kohë më parë edhe nga Kurti por që ishte refuzuar nga Serbia, zbatimi i marrëveshjeve aktuale shihet si një tjetër zgjidhje.

“Në rast se të gjitha këto marrëveshja do të zbatoheshin, në rast se parashihet edhe njohja reciproke mes shteteve atëherë të gjithë këto marrëveshje çojnë me një ligj apo traktat që e përfundon realisht konfliktin mes dy popujve dhe mes dy shteteve”, tha Përteshi për A2 CNN.

Në një kohë kur marrëveshjet politike të dialogut nuk respektohen, madje me tendencë për të mohuar ato, Prishtinës zyrtare i kërkohet që përmes diplomacisë të adresojë shqetësimet e saj. 

“Krejt çka mund të bëjë, sipas mendimit tim, Republika e Kosovës është presioni edhe te KFOR edhe te NATO, te miqtë, aleatët ndërkombëtarë e partnerët strategjikë. Është NATO dhe KFOR me mision në Kosovë që do ta vlerësojnë situatën ose të bëjnë marrëveshje dypalëshe që e kanë tash e 24 vite me rezolutë 1244”, u shpreh Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.

Së fundmi, ushtria serbe u pa shumë pranë kufirit në anën e Kamenicës, ndërsa pati ankesa se xhandamëria serbe kishte hyrë edhe në kufirin e Merdares.