Ndonëse është bërë më shumë se një vit prej kur në Bruksel u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky dokument nuk po gjen zbatim në terren.
Serbia vazhdon ta trajtojë çështjen e personave të pagjetur si politike, duke mos qenë në gjendje të japë informacion për varrezat masive që gjenden në Serbi.
Madje kjo temë është diskutuar edhe të enjten në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me këtë kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, tha se Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.
Nën dritën e kësaj çështjeje nga Fondi për të Drejtën Humanitare deklarojnë se politizimi i Serbisë me fatin e personave të pagjetur kalon çdo normë të humanizimit.
“Personat të cilët kanë bërë krime të luftës i kanë transportuar kufomat në vend te ndryshme kanë informatë dhe ata të cilët kanë njohuri për varrezat masive duhet të japin informata tek organet kompetente dhe nuk duhet që të politizohet me fatin e personave të zhdukur për arsye se kjo është një shenjë humaniteti. është hap i parë drejtë normalizimit të marrëdhënieve drejt Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Amer Alia, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, për RTK.
Edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) thonë se jo vetëm që nga deklarata e 2 majit por në vazhdimësi Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet për personat të zhdukur.
“Ne si Komision në vazhdimësi jemi përballur me mosgatishmërinë dhe politizimin e skajshëm të këtij procesi nga institucioneve të Serbisë në kuptim për të zbatuar zotimet deklarata apo marrëveshje në fjalë Kushtrim Gara, KQPZH.
Madje Gara, i cili aktualisht është duke marrë pjesë në një takim në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Holandë, tha se edhe pse Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë ka dorëzuar kërkesën drejtuar institucioneve dhe presidentit serb Vuçiq, për qasje të plotë në arkivat dhe brigadën e motorizuar të ushtrisë serbe 37, një gjë e tillë nuk i është lejuar.
“Ne kemi ri adresuar kërkesat, pra kërkesat për qasje për arkivat e brigadës së noterizuar 37 por edhe për qasje 20 lokacioneve, por për kundër këtyre takimeve dhe ne vazhdojmë të përballëm me politizimin e skajshëm dhe mosgatishmërinë e palës serbe për bashkëpunimin në ndriçimin e drejtës elementare për siç është drejta e familjarëve për ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka shtuar Gara.
Madje, për më keq, Gara thotë se pavarësisht tentimit dhe shënjimit për gërmim të tri lokacioneve në Serbi në këtë vit, ky shtet në momentet e fundit e ka pamundësuar fillimin e gërmimeve atje.