Lajme

Pritet rritje e votuesve nga lehtësirat e proceduarve – Askush s’duhet t’iu frikësohet votave të bashkatdhetarëve

Liderët e partive në vend i kanë shpeshtuar vizitat jashtë vendit duke u takuar me bashkatdhetarë, për të kërkuar nga ta votat për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 9 shkurt.

Në këto zgjedhje bashkatdhetarët votojnë për herë të parë në mënyrë fizike, kjo edhe po shihet si mundësi që ata të marrin pjesë në përqindje më të madh, krahasuar me zgjedhjet e fundit kur ishin votuar 7%.

Lirim Krasniqi, drejtor në Organizatën “Germin” e sheh të arsyeshëm që diaspora të ketë të drejtën e votës, sipas tij, kjo e drejtë i garantohet me Kushtetutë. Votimi në mënyrë fizike, thotë ai është mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë të drejtë vote në diasporë.

Krasniqi ritheksoi se këtë vit, do të ketë më shumë vota të vlefshme, për shkak të lehtësimit të procedurave të votimit.

“Vota me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme iu garantohet të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetaseve të tij, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe kjo mundësohet përmes votimit direkt në Kosovë, ose jashtë vendit”.

“Votimi jashtë Kosovës organizohet për herë të parë në formë fizike, pra bashkatdhetarët tanë do ta kenë mundësinë për herë të parë të votojnë në vendvotimet që do të hapin në misionet tona diplomatike. Kjo nuk është temë diskutimi a duhet apo jo, kjo është një e drejtë kushtetuese dhe shumë mirë që të gjithë shtetasit e Kosovës e kanë mundësinë që ta votojnë edhe në vendet jashtë Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

“Besoj që do të rritet numri i personave që do të votojnë të vlefshme, sepse në zgjedhjet e kaluara ka pasur shumë të interesuar të votojnë por për arsye të procedurave të ndërlikuara jo të gjitha ata që kanë dërguar votën përmes postës janë numëruar që janë të vlefshme. Numri i personave të interesuar do të jetë i njëjtë, por numri i votave të vlefshme do të rritet në diasporë”.

Edhe pse me përqindje ishin lartë në zgjedhjet e fundit rreth 7%, sipas Krasniqit nuk ka luajtur rol të madh në përzgjedhjen e fituesit të zgjedhjeve. Madje tha se asnjë parti nuk duhet të frikësohet nga vota e diasporës.

“Nëse i shohim rezultatet e zgjedhjeve në vitin 2021, votave nga totali i të gjitha votave 7% e tyre kanë qenë vota që kanë ardhur nga diaspora. Ndërkohë që në zgjedhjet para vitit 2021 përqindja ka qenë edhe më e ulët, nëse e vlerësojmë nga ky fakt atëherë ndikimi i votave nga diaspora, nuk ka qenë edhe aq i madh në rezultatin final”.

“Gjithsesi duke pasur parasysh që një pjesë e votave ka shkuar për një subjekt politik kjo ka ndikuar që të rritet numri i deputetëve që rrjedhin nga rezultati zgjedhor. Por nuk duhet të frikësohemi nga vota e diasporës duhet ta kemi parasysh që duke mundësuar votimin e diasporës nga jashtë ne sigurojmë gjithë përfshirjen e bashkatdhetarëve tanë”, ka thënë ai.

Përtej ndikimit në rezultatin e zgjedhjeve, drejtori i “Germin”, ka potencuar se është shumë e rëndësishme përfshirja e tyre në procesin politik-bërëse në vend.

“Ne si Kosovë si vend ku emigrimi është në trendë të rritjes është e rëndësishme që qytetarët tanë t’i mbajmë afër edhe në procesit vendimmarrëse përmes votimit. Në këtë drejtim të gjitha ata zëra që janë skeptik për votën e diasporës, duhet ta rishqyrtojnë këtë pozicion sepse ne kemi nevojë shumë për angazhimin e diasporës, dhe vota është një mjet që e nxit angazhimin edhe në fusha të tjera”.

“Tash është zgjeruar mundësia e votimit sepse ata kanë mundur të votojnë përmes postës por ka qenë proces i ndërlikuar, por më ndryshimin e ligjit e drejta e votës nga jashtë kufizohet vetën në shtetas. Nëse në zgjedhjet e kaluara kanë mundur të votojnë ata të cilët nuk kanë shtetësi të Kosovës, tani do të mund të votojnë vetëm ata që kanë shtetësi të Kosovës, dhe kjo në mënyrë automatike e kufizon numrin e atyre që do të mund të votojnë”, ka potencuar Krasniqi.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica i tha Eo, se është shumë e rëndësishme vota e diasporës, pasi që sipas tij, ata përbëjnë mbi gjysmën e Kosovës.

“Diaspora është shumë e rëndësishëm edhe në numra por me kualitet janë gjysma dhe mbi gjysma e Kosovës. Në katër vitet e fundit kemi mbi 200 mijë qytetarë tanë që jetojnë jashtë Kosovës, ata në të gjitha proceset kanë qenë të angazhuar dhe kanë mbështetur vendin edhe në aspektin social, politik dhe kombëtar dhe të gjitha”.

“Pa diskutim që vota e tyre është shumë e rëndësishme. Në numër nuk është një numër i madh por ndikimi i tyre në familjen dhe rrethin e tyre është i madh, normal që vota e tyre është një vlerë e shtuar dhe krejt e veçantë dhe do janë shumë të rëndësishëm”.

Me plotësim ndryshimin e Ligjit të ri për zgjedhjet Reçica ka potencuar se për diasporën është krijuar lehtësi e madhe. Sipas tij, tani mërgimtarët mund të votojnë me postë dhe me kuti postare në secilin shtet.

“Mërgimtarët tanë i ftojë të votojnë sepse me plotësim ndryshimin e ligjit kemi krijuar lehtësi të mëdha, tani mund të votohet edhe me postë, do të kemi një kuti postare në secilin shtet dhe është më i lirë, një franga ose dy mund ta vendosin se ku të lëvizin këtë vend”.

“Komunikimi dhe lidhjen me vendi është jashtëzakonisht e fuqishme dhe i bëjë ftesë që domosdo të regjistrohen për votim, deri me 26 dhjetor kanë kohë. Është e domosdoshme dhe janë pjesë e krejt këtyre zhvillimeve dhe asaj që sot e kemi, lirinë, pavarësinë, shtet ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

Komisioni Zgjedhor i Kosovës ka njoftuar se deri tani janë mbi 9 400 kërkesa nga mërgimtarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë regjistruar, derisa mbi 8 mijë janë aprovuar.