Lajme

Anulohet konkursi për drejtorin e përgjithshëm të RTK-së

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës me shumicë votash ka anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm.

Kjo pas në mbledhjen e mbajtur të hënë sipas zyrtarit ligjor është theksuar se “tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit”

“Bordi i RTK-së në mbledhjen e sotme të tij, ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës mbi votimin për hapjen e zarfave për konkursin e drejtor të përgjithshëm. Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit. Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfave pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm”, thuhet në komunikatë.

Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK.