Javën që po lëmë pas, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka anuluar një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, në Beograd.
Arsyeja e anulimit, sipas zëdhënësit, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Për këtë çështje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kryeministri, Milosh Vuçeviq nuk ka bërë asgjë të papranueshme që të justifikonte anulimin e takimit nga ana e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Vuçiq thekson se, megjithatë, në Bruksel ekziston një shqetësim për takimin e Vuçeviqit me ministrin rus para se të takohej me Von der Leyen.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Eshref Ymeri.
Ai thotë se vëmendja e SHBA dhe Perëndimit evropian momentalisht është e përqëndruar tek ndihma e Ukrainës kundër Rusisë.
Eshref Ymeri
Mirëpo sipas profesori BE me anulimin e takimit nuk e lejoi Serbinë të luajë me të.
“Në situatën e tanishme, Perëndimi evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përqendruar vëmendjen në ndihmën për Ukrainën, kundër Rusisë fashiste, dhe nuk i pranojnë flirtet prej Serbisë me Rusinë në një situatë të tillë. Kjo është arsyeja që Ursula nuk ka pranuar të takohet me kryeministrin serb, i cili, paraprakisht, është takuar me ministrin rus. Por takimin e kryeministrit serb me ministrin rus para takimit me Ursulën, Vuçiçi e ka pas organizuar për të provuar me rastin e asaj vizite, se cili do të jetë qëndrimi i Brukselit ndaj Serbisë, e cila njihet si një anuese politike në raportet e saj me Lindjen dhe me Perëndimi”, u shpreh ai.
Më tej profesori përmend qëndrimin e Greqisë në raport me Lindjen dhe me Perëndimin.
“Me këto pirueta që bën Serbia, të kujton qëndrimin e Greqisë në raport me Lindjen dhe me Perëndimin, qëndrim, të cilin e ka pasë stigmatizuar 30 vjet më parë gazetari dhe analisti i njohur politik amerikan Robert Kaplan (1952) në veprën me titull “Balkan Ghosts” (Fantazma e Ballkanit), Në atë vepër bie në sy ideja kryesore e saj:
“Greqia: Dashnorja e Perëndimit, Gruaja e Lindjes”.
Përkthyesi i talentuar Zef Mazi, pikërisht kështu e ka titulluar librin e Robert Kaplanit, të cilin shtëpia botuese “Dituria” e pati hedhur në qarkullim në Tiranë në vitin 2002”, shpjegon profesori.
Në fund, ai thotë që sikur brukselizmi të vendosë ta pranojë Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian, ajo prapëseprapë do të jetë e varur të veproj si të dëshiroj Rusia.
“Prandaj, edhe sikur brukselizmi të vendosë ta pranojë Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian, ajo prapëseprapë ka për të shërbyer atje si minë me sahat, çelësin e shpërthimit të së cilës për përçarjen e tij, e mban në dorë Rusia fashiste”, përfundoi profesori Eshref Ymeri për “Bota sot”.