Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës pranoi 180 ankesa nga qytetarët serbë në katër vite

Inspektorati policor i Kosovës tha se brenda tri vitesh në katër komunat e veriut ka pranuar 180 ankesa dhe informata nga qytetarët serbë. Inspektorati tha se 87 prej tyre pretendohen të jenë raste me elemente penale për të cilat thotë se disa kanë marr epilog dhe një numër prej tyre janë në proces të hetimeve. Deklarata u bë pasi misioni Evropian në Kosovë për sundimin e ligjit EULEX në një reagim të tij ka kërkuar hetimin e çdo pretendimi të shkeljes së të drejtave të njeriut te qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkohë qytetarët e komunitetit serb në komunën e Mitrovicës së veriut kanë mendime të ndryshme për këtë çështje.

Arrestimet e fundit të një aktivisti politik dhe një tjetër e një qytetari serb në pjesën veriore të Kosovës, ka nxitur një valë të reagimeve. Një numër i organizatave jo qeveritare serbe dhe ato të shoqërisë civile në fundjavën e kaluar i bënë me dije misionit të BE-së për sundimin e ligjit se do të ndërpresin bashkëpunimin me arsyetimin se EULEX ka dështuar në monitorimin e institucioneve të Kosovës, sa i përket shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ato reaguan duke pretenduar se një qytetar serb është keqtrajtuar nga policia e Kosovës. Por, Inspektorati policor i Kosovës i tha RTV21 se ka nisur hetimet për rastin. Inspektorati tha se qytetari serb është arrestuar me dyshimin se ka dëmtuar një pronë private në pranin e zyrtarëve policorë.

Hetuesit e IPK-së përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident.

Inspektorati i Policisë ka bërë me dije se në një hark kohor prej tre vjetësh, janë regjistruar mbi 180 raste të ankesave dhe informatave nga qytetarët serbë por siupas tij në vitin 2024 është shënuar një rënie e numrit të ankesave.

“Bazuar në rezultatin e hetimeve, rastet penale të trajtuara gjatë vitit 2024, janë proceduar si në vijim: Në Prokurorinë e Shtetit janë parashtruar me Kallzim Penal 3 raste, me Raport të veçant 1 rast, me raport informues 2 raste, kurse tjerat janë në proces”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Misioni i BE-së në Kosovë EULEX, ndërkohë thotë se mirëpret vendimin e Policisë së Kosovës për të njoftuar Inspektoratin Policor për nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet e një qytetari serb në veri se i njëjti është keqtrajtuar nga Policia e Kosovës.

“Kërkojmë me vendosmëri çdo pretendim për keqtrajtim të hetohet menjëherë dhe në mënyrë efektive nga autoritetet përkatëse”, ka thënë EULEX.

Në pjesën veriore ndërkohë, qytetarët e komunitetit serb janë të ndarë rreth kësaj çështjeje. Disa e vlerëosjnë të përkeqësuar gjendjen në veri për shkak të policisë së Kosovës ndërkohë që një numër tjetër i tyre thonë se gjendja është duke u përmirësuar

“Popullata serbe po ndihet shumë e cënuar në gjithë Kosovën përfshirë veriun, presioni më i lartë na vjen nga policia e Kosovës e cila nuk është profesionale”, tha një qytetar.

“Nuk është edhe aq keq si po pretendohet, mirë jetojmë mirë kalojmë mund të bëhet edhe më mirë”, tha një qytetar tjetër.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve pa dallim që për çdo pretendim të shkeljes së të drejtave e tyre të bëjnë ankesa në inspektoratin policor.