Lajme

LDK reagon për gjetjet e Raportit të Progresit: Rezultate të paaftësisë së qeverisë aktuale, është koha për ndryshim të vërtetë tani

Bashkimi Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit për Kosovën. Sa i përket tregut të punës, në Raport thuhet se pavarësisht disa përparimeve, Kosova vazhdon të vuajë nga papunësia e lartë, pjesëmarrja shumë e ulët në treg të punës dhe hendeqet e mëdha gjinore.

Lidhur me këtë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila thotë se ky raport nënvizon sfidat e vazhdueshme në Kosovë, por mbi të gjitha, thekson nevojën urgjente për ndryshim.

“Raporti gjithashtu e thekson qartë situatën ekonomike në Kosovë—“ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me vitet e mëparshme”.

LDK është e përkushtuar dhe do të punoj fort për të rikthyer pavarësinë e mediave dhe për të mbrojtur institucionet demokratike nga ndërhyrjet politike. Ne do të reformojmë gjyqësorin për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri, si dhe do të luftojmë korrupsionin me vendosmëri. “.

LDK thotë se ndërsa këto janë rezultatet e paaftësisë së qeverisë aktuale; fokusi i tyre do të jetë në krijimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive të reja në vend, në mënyrë që kosovarët të mos detyrohen të largohen.

“Kosova meriton një qeveri që i përmbush premtimet e saj. LDK do të udhëheqë pastër dhe me integritet. Është koha për ndryshim të vërtetë, tani!”, thuhet në reagim.