Lajme

Gërxhaliu e cilëson të vonuar rritjen e pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar të martën në një konferencë për media për ngritjen e pagës në sektorin publik në vitin 2025 prej 110 euro.

Kjo rritje, sipas ekonomistit Safet Gërxhaliut është e vonuar, ngase sipas tij në dimensionin kohor ka lënë gjurmë negative në aspektin ekonomik – social.

“Një rritje page e cila vërtetë për mua e vonuar, duke pasur parasysh faktin se cilat kanë qenë trend ekonomike në Kosovë, jemi një shoqëri e varur nga importi, pas një inflacionit që kemi pasur një periudhë kohore bukur të gjatë kemi edhe një inflacion të heshtur të importuar përmes një vlerë 5,9 miliardë euro importe të vitit 2023 dhe ky vendim besoi që është një vendim i vonuar i cili në dimensionin kohor ka lënë gjurmë negative në aspektin ekonomik – social”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Sipas ekonomistit, pritjet kanë qenë të mëdha për ngritje page, ngase sipas tij çmimet bazike janë të ngritura.

Ai thotë se në Kosovë nuk flitet asnjëherë për pagën e jetesës dhe kërkon nga Qeveria që të ketë analizat e përpikta mbi parametrat ekonomik në Kosovë.

“Pritjet kanë qenë shumë të mëdha duke pasur parasysh sa janë ngrit çmimet qoftë bazike, qoftë edhe produkteve tjera dhe në anën tjetër ajo që mua më shqetëson më tepër është që vitet e fundit në Kosovë zakonisht flitet për pagën minimale, pagën e mesme dhe asnjëherë nuk flitet për pagën e jetesës. Sa është një pagë normale që kish me jetua një familje 4 anëtarësh në Kosovë, një pagë e cila duhet të jetë në këto trend dhe parametra aktual afër 1140 euro, prandaj duhet që gjithmonë Qeveria apo institucionet që t`i kenë analizat e përpikta mbi parametrat ekonomik në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Ndryshe, Gërxhaliu ka krahasuar çmimet në vitin 2023 dhe tani në 2024.

“Vetë fakti që kemi pasur rritje të pagës do të thotë në mënyrë minore 5 euro ka qenë rritja e fundit për koeficient dhe tani në këtë kohë që kemi dyfishim të çmimeve në qoftë se në vitin 2023 ke blerë diçka me 100 euro, në vitin 2024 atëherë ke paguar 180 euro. Kjo rritje 55 euro në pjesën e parë dhe pas zgjedhjeve apo pjesën e dytë të vitit 55 euro sa mund ta minimizojë efektin negative të inflacionit. Prandaj besoj që duhet këta parametra të përcillen rritja duhet të korrespondoj edhe në aspektin ligjor dhe ekonomik e social”, thotë ekonomisti./teve1.info/