1
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, nga i cili pranoi “Raportin për Kosovën 2024” nga Komisioni Evropian, i cili vlerëson përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri falënderoi Ambasadorin Orav për raportin dhe theksoi angazhimin e Qeverisë për të çuar përpara reformat që janë thelbësore për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se në pikat e tij kryesore, Raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane.
“Në raportin e këtij viti gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, Agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit. Forcimi i kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen gjithashtu pozitivisht si prioritet i qeverisë për një shtet të së drejtës. Reformat zgjedhore, sikurse edhe përmirësimi i kushteve të tregut të lirë dhe mbështetja për sipërmarrësit që ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Raporti vëren se nuk ka pasur asnjë ecje mbrapa në asnjërën nga fushat kyçe të reformës, ndërkohë që pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres – dëshmi kjo e përkushtimit të qeverisë për përparim dhe progres të vazhdueshëm.”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri mirëpriti rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave.
“Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progress të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik”, ka thënë Kurti. .