Lajme

Krasniqi përkrah fuqishëm Hamzën: Do të jetë kryeministri më i mirë që Kosova mund të ketë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka prezantuar Bedri Hamzën si kandidat të kësaj partie për kryeministër.

Ai ka nderuar themeluesit e kësaj partie, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, për të cilët u prezantua edhe një dokumentar i shkurtër,

“Cilado parti tjetër në vend të PDK-së, nuk do t’iu mbijetonte këtyre furtunave. Ja ku jemi tash. Unë dhe ju e dimë që Partia Demokratike e Kosovës është e pathyeshme, testament i qëndrueshmërisë dhe guximit” u shpreh Krasniqi.

Ai tha se kanë shumë punë për të bërë dhe se sukseset për shtetin mund të arrijnë përmes përkushtimit të vazhdueshëm.

“Ëndrrat tuaja të thurura në vizionin e Partisë tonë do t’i çojmë përpara, dhe Partia Demokratike është e gatshme për këtë” tha Krasniqi duke i bërë premtim Thaçit dhe Veselit.

Krasniqi po ashtu deklaroi se Hamza do të jetë kryeministri më i mirë që Kosova mund të ketë.

“Unë nuk kam dyshim aspak që Bedriu do ta udhëheq më së miri Kosovën. Bedri Hamza e meriton mbështetjen tonë sepse Kosova ka nevojë për Bedri Hamzën.”