Lajme

Si u plagos 7 – vjeçari me armë nga vëllai i tij, detaje

Si rezultat i shkrepjes me armë të gjuetisë, i mituri plagosi të vëllain shtatë vjeçar. Pas trajtimit në Spitalin Rajonal në Prizren dhe më tutje në QKUK, gjendja e tij është stabile. Rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

Po përdorte armën e gjuetisë.

Por 11 vjeçarit nga Maqiteva e Suharekës dyshohet se i shkrepi arma aksidentalisht.

E shkak i këtij incidenti e pësoi i vëllai 7 vjeçar.

Si pasojë e shkrepjes, ky i fundit mbeti i plagosur.

Lajmin e bëri të ditur Policia e Kosovës.

“Viktima mashkull kosovar-fëmijë ka pësuar lëndime, pasi që i dyshuari kosovar (i mitur)-vëllai i viktimës, duke përdorur pushkën e gjuetisë dyshohet aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka goditur viktimën”, thuhet nga Policia.

Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime të rënda.

E pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal në Prizren, është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

“Është trajtu tek ne, janë kryer ekzaminimet dhe analizat. Është futë në sallë të emergjencës prej ekipës kujdestare të anestezionit, të kirurgjisë plastike, të kirurgjisë vaskulare dhe të ortopedisë. Më në fund, në gjendje stabile është transferu në ortopedi”, ka thënë Naser Syla, drejtor i Emergjencës në QKUK.

Lidhur me rastin, është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin, i cili është cilësuar “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.