Lajme

EMRAT/ “Do përfitonin deri në 50 mijë euro si ‘korrierë’”- U arrestuan teksa nxirrnin 40 kg kok*inë nga kontejneri me banane, zbulohet identiteti i tre shqiptarëve

Është zbuluar identiteti i tre shqiptarëve të arrestuar në flagrancë nga policia në Itali, pasi u kapën duke shkarkuar nga një kontejner me banane në port, një ngarkesë më rreth 40 kilogram kokainë.

Mësohet se në pranga ka rënë 49-vjeçari Alfons Teqa, 30-vjeçari Athanas Xhuveli dhe 36-vjeçari Rushan Kanushi, ky i fundit rezident në zonën e komunën Sant’Elpidio a Mare, në provincën e Fermos, në Marche.

Sipas mediave italiane, tre shqiptarët kishin mbërritur në qytet me një makinë me qira, duke qëndruar natën në motel të zonës, por pasmesnatën mes 25 dhe 26 Tetorit ata shkuan me urgjencë drejt portit për të shkarkuar një ngarkesë me 40 kilogramë kokainë të pastër që sapo kishte ardhur me anije tregtare nga Ekuadori, e fshehur mes bananeve dhe brenda një kontejneri.

Tre shqiptarët tashmë të arrestuar, mund të përfitonin nga kjo punë për transportin rreth 40-50 mijë euro, por dështuan. Vlera e mallit nëse do shitej, sipas mediave fqinje, shkon në të paktën 3 mln euro.

Po ashtu, është zbardhur dhe itinerari dhe skema e shqiptarëve të ndaluar. Operacioni u krye nga Guardia di Financa dhe Agjencia e Doganës italiane, por lajmi u konfirmua për mediat vetëm më 31 Tetor.

Të tre ata mësohet se kanë heshtur para prokurorit publik Daniele Rosa dhe kanë marrë avokatë. Dy pre tyre Alfons Teqa dhe Athanas Xhuveli dyshohet se kishin ardhur direkt nga Shqipëria, ndërsa Rushan Kanushi, dyshohet se ka qenë në Itali përpara se të mbërrinte në qytet, për të marrë sasinë e madhe të drogës.

Ata dyshohet se janë punësuar si korrierë për të tërhequr dhe dorëzuar mallin për organizatën. Po ashtu, ke vete ata mbanin çantat e shpinës, ku kishin të gjitha pajisjet e nevojshme për të hapur kontejnerin e sapozbritur.

Anija ishte nisur nga porti i Guayaquil, në Ekuador, me emrin “Cma CGM Imagination” dhe flamuri i saj ishte maltez. Ajo ka bërë tranzitet e saj në Marsejë dhe Barcelonë, por skaneri në Livorno zbuloi ngarkesën.