Lajme

Spahiu: Qeveria ka treguar pazotësi diplomatike me amerikanët, s’ka ditur t’i parasheh veprimet

Profesor i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu ka thënë se kushdo që të fitojë në mes të kandidatit republikan, Donald Trump dhe demokratës, Kamala Harris nuk do të këtë shumë dallim për Kosovën sa i përket qëndrimeve.

Kjo pasi sipas tij, tashmë vetëm se ka një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe asnjëri nga ta nuk do të përpiqet për një marrëveshje të re.

“Sa i përket Kosovës, ky qëndrim nuk mund të lëviz shumë, cilido që të zgjidhet, pasi në horizont ne kemi një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë – të paktën një marrëveshje gojore. Nuk besojë që asnjëri prej tyre do t’i binte pishman dhe do të përpiqej për një marrëveshje të re, por se cili do t’i bëjë presion më shumë Serbisë që kjo marrëveshje të realizohet, pasi nga ana e Kosovës – pasi nga Qeveria aktuale është premtuar se në mo0mentin që Serbia ta bëjë pjesën e vet të obligime do të bëjë edhe Kosova”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Qeveria ka treguar një pazotësi diplomatike, që sipas tij shumë veprime të drejta nuk ka ditur t’i “shesh” me kohë.

“Kjo Qeveri ka treguar një pazotësi diplomatike, që veprimet e saj me i paketu, pra me qenë të pranueshme për amerikanët dhe evropianët. Por, në shumë veprime e kanë parë edhe ata që kanë pasur të drejtë – në veri p.sh. një herë është bërë presion për komunat në veri, por që më pas edhe ambasadorët amerikanë dhe evropianë i kanë pranuar dhe i kanë takuar kryetarët… ka pasur shumë veprime që Qeveria ka pasur të drejtë, por nuk ka ditur t’i shes me kohë dhe ato kanë pasur pasoja…”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata”në Tëvë1.

Këtë të martë qytetarët amerikanë janë duke votuar për presidentin e ri të tyre mes dy kandidatëve, republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris.

Presidenti i zgjedhur do të inaugurohet të hënën më 20 janar 2025, në ambientet e kompleksit Kapitol – inaugurimi i 60-të presidencial në historinë e SHBA-së./teve1.info/