Lajme

Iu plagos e bija, flet e ëma e Manderina Çelës: Kishte një ‘muhabet’ me autorin, është e martuar

Ilir Çami është personi i cili paraditen e kësaj të mërkure goditi me thikë Manderina Çelën në afërsi të vendit të quajtur “Trekëndëshi” në qytetin e Korçës.

E plagosura ndodhet në spitalin rajonal të Korçës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori është arrestuar nga forcat e komisariatit të Korçës.

Burime bëjnë me dije se Çami ka qenë i arrestuar më parë për përndjekjen e kësaj shtetaseje në vitin 2022, pasi kërkonte rikthimin e një marrëdhënieje jashtëmartore që kishte pasur më herët me të.

Në një prononcim për mediat, e ëma e Manderina Çelës tha se autori e kishte ndjekur edhe pse e dinte se ajo ishte e martuar.

“Futeni brenda e mos e nxirrni më. Çupa e sëmurë. Çupa është e martuar, ka burrë, ka fëmijë. Kishin një muhabet më parë. Ishte në burg më parë ai, por e nxorën. Çupa ime shkonte në spital, kishte të sëmurë. Ishte një burrë se do ta vriste çupën ai. Vajza kishte frikë të shkonte në Korçë, sepse ai e ndiqte. Ajo ka 3 fëmijë, burrin e ka në Greqi, ai e bezdiste. Çupa do vdiste po mos e ndihmonin të tjerët. Ai e ndiqte pas. Dje vajti në spital, ai e kishte ndjekur pas, ajo i kishte thënë ‘ik, se do lajmëroj policinë’, ai nuk iku. Sot e goditi,” tha e ëma.