Lajme

Hazife Sallahu e arrestuar në dyshimet për ryshfet është drejtoreshë e Kulturës në Kaçanik dhe pjesë e AAK-së

Hetimi i zhvilluar nga Krimet Ekonomike në Ferizaj nën dyshimet për ryshfet e falsifikim dokumentesh në një autoshkollë në Kaçanik, rezultoi me arrestimin e dy pronarëve, që dyshohen se janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme për procesin e marrjes së patentë shoferit.

Siç zbuloi Gazeta Sinjali në prangat e Policisë kanë përfunduar Hafize Sallahu dhe djali i saj, Edison Sallahu, pronarët e ‘Autoshkolla Tony’ me seli në Kaçanik dhe me degë në Han të Elezit.

Por, tashmë janë zbardhur detaje të reja për profilin e Hafize Sallahut.

Media mëson ekskluzivisht se ajo mban edhe postin e drejtoreshës së Kulturës në komunën e Kaçanikut që udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Por, kësaj partie nuk i përket Sallahu, e cila dje u arrestua nën dyshimet për ryshfet e falsifikim dokumentesh në një autoshkollë në Kaçanik.

Ajo i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe drejton degën e kësaj partie në Kaçanik – në faqen e së cilës që në ballë gjendet një fotografi e Sallahut me Ramush Haradinajn, kryetarin e AAK-së.

Ndryshe, procesi hetimor i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, me aplikimin edhe të masave të fshehta, zbuloi se dy përgjegjësit e kësaj autoshkolle, me qëllim të përftimit pasuror, dyshohet se kanë pranuar ryshfet nga kandidatët, treguan burimet e sinjalit.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se dy të dyshuarit kanë pranuar shuma të ndryshme deri në 1200 euro nga kandidatë të ndryshëm që kanë aplikuar për kategoritë B dhe C.

Bazuar në informacionet zyrtare, dy të dyshuarit kanë marrë para nga kandidatët për t’ua mundësuar marrjen e patentë shoferit pa iu nënshtruar testit teorik dhe testit praktik të vozitjes. E për të mos mbaruar me kaq, dyshohet se  janë nxjerrë certifikata mjekësore dhe vërtetime për aftësitë e kandidatëve, edhe pse të njëjtit nuk kanë kryer kontrollet mjekësore.   

Kjo veprimtari që nuk dihet për sa kohë është ushtruar në këtë autoshkollë u zbulua nga Policia dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit, u zhvillua sot aksioni, raporton Gazeta Sinjali.

Pas kontrolleve të kryera në zyrat e kësaj autoshkolle janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona; 5 regjistratorë-libra; fletore regjistrimi; 7 fletore interne; 64 dosje origjinale të kandidatëve dhe 21 certifikata mjekësore të shoferëve profesionalë për punë, njoftoi sonte Policia.

Hafize Sallahu dhe Edison Sallahu u shoqëruan më pas në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me dyshimet e ngritura kundër tyre.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat penale ”Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.