Lajme

Gërvallai i kundërpërgjigjet Çitakut: Ambasadave po ua kthejmë rolin, u shfrytëzuan për interesa personale

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla iu është kundërpërgjigjur deklaratave të sekretares së Përgjithshme të Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme se po i përdorin ambasadat për qëllime partiake e fushatë elektorale.

E lidhur me këtë akuzë, Gërvalla ka thënë se “pak e nga pak” ambasadave dhe konsullatave po ia rikthejnë rolin e vërtetë, që sipas saj nga qeveritë e kaluara janë përdorur për interesa personale.

Ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës pak e nga pak, por në mënyrë të pakthyeshme, po ua kthejmë rolin e tyre të vërtetë, atë të shtëpisë së madhe dhe derës së hapur për të gjithë mërgimtarët tanë. Ky është realiteti i ri me të cilin duhet të mësohen sa më parë ata që diplomacinë dhe ambasadat e Kosovës ishin mësuar t’i shohin dhe shfrytëzojnë vetëm në funksion të interesave të tyre personale dhe klanore”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndër tjera, ajo tha se nuk është përmbajtja e takimeve të kryeministrit Albin Kurti ajo që i shqetëson opozitën, por entuziazmi dhe ngrohtësia, me të cilin ai pritet nga qytetarët e Kosovës në gjithë botën.

“Nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon”, ka shkruar ministrja e jashtme. /teve1.info/