Lajme

‘I lidhën me tela me gjëmba e i tërhoqën zvarrë! Krimi brutal i bandës ‘Vakëf’ që tronditi Beratin!

Prokuroria Berat ka kërkuar 25 vite burg për shtetasin Byniamin Hajro, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin.

Kjo ishte e vetmja ngjarje që i kushtoi dënimin kapobandës Byniamin Hajro dhe njerëzve të tij, që është torturimi dhe vrasja e shtetasve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema në 2 qershor të vitit 1997.

Ata u morën peng, u lidhën me tela me gjemba në garazhin e banesës së Bujo Çamit.

Aty u torturuan për 24 orë.

Bledar Pema, 13-vjeçar aso kohe pa gjithë skenën se si u torturua i vëllai.

Të katër personat i lidhën me një tel, te ganxha e rimorkimit nga mbrapa, të një makine Golf me ngjyrë gri me targa Berati trupin e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullait.

Dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin Vakëf.

Aty i lyejnë me benzinë dhe u vënë zjarrin. Familjet e viktimave nuk guxuan të denoncojnë.

Vite më vonë, dëshmia e Bledar Pemës vuri para akuzës Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazmend Hoxhën.

Masakra e 1997 Më 2 qershor 1997, në shenjë hakmarrje për një të afërmin e tyre që akuzohet për vrasje dhe grabitje me armë, “Banda e Vakëfit”, ka rrëmbyer në lagjen “Kushtrimi” Eduart Pemën dhe Arjan Avdullain, duke i lidhur me tela me gjemba në një ambient në periferi dhe më pas torturuar gati për vdekje. Më 3 qershor, në mënyrë publike i kanë tërhequr të dy zvarrë në rrugët e qytetit që të terrorizonin edhe qytetarët, me dëshmitarë të shumtë. I kanë lënë në sheshin e lagjes së tyre duke i shkrumbuar me zjarr, teksa njëri ishte ende i gjallë. Sikur të mos mjaftonte kjo, i kanë sharruar edhe me plumba dhe më pas janë larguar

“Banda e Vakëfit” Berat përbëhej nga Byniamin Hajro (Bujo Çami) Kudret Zhuka, 49 vjeç, Kastriot Frashëri, 45 vjeç, Gazmend Hoxha, 41 vjeç

DËSHMIA E PLOTË

Ka qënë data 02.06.1997 rreth orës 17:00 të mbasdites unë kam qënë së bashku me vëllain Eduart Pema, duke ndenjur në tortuarin e rrugës që të çon në lagjen “Vakëf” afër spitalit “Befotrof”. Në këtë kohë aty vjen nga lagjia “Vakëf” një makinë veturë e tipit Benc ,ngjyrë e bardhë me targa Berati, numrat nuk I kam të fiksuar. Sa mbërritën në drejtimin para nesh me shpejtësi personi që drejtonte këtë mjet e kthen me drejtimin nga erdhi dhe ndalon para këmbëve tona. Sa ndalon prej saj zbresin 4 persona, sa zbritën unë arrita t’i njihja menjëherë, këta ishin: Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha, të gjithë banorë të lagjes “Kushtrim”. Të gjithë personat kur zbritën nga makina pashë që në duar mbanin automatik kallashë. Këta persona I thonë Eduartit futu në makinë. Eduarti nuk kundërshtoi, por u fut në makinë menjëherë, u ulë në sediljen mbrapa midis Gazmend Hoxhës dhe Kastriot Frashërit. Makina iku në drejtim të shtëpisë së Byniamin Hajro. Unë nuk reagova pasi në atë kohë unë isha vetëm 13 vjeç, por shkova në shtëpi dhe njoftova prindërit.

Pjesëtarët e familjes u shqetësuan shumë,por duke pasur parasysh me kë kishin të bënin nuk bënë asnjë veprim konkret, pasi policia nuk funksiononte. Mbas gjysëm ore, u shqetësova që nuk po vinte vëllai dhe u nisa për të shkuar drejt shtëpisë së Byniamin Hajro dhe tek garazhdi i shtëpisë pashë Eduartin të lidhur me tel me gjemba me duar mbrapa të shtrirë në tokë dhe që të katër personat që e muarrën villain po e qëllonin me qytë automatiku. Në momentin që ata po qëllonin me qytë Eduartin tek garazhdi për rreth që shikonin këto veprime kishte dhe persona të tjerë, por unë nuk i njihja këta.

Fjetëm gjumë me idenë se vëllai do kthehej në shtëpi gjatë natës, por kjo nuk ndodhi….

Në mëngjes rreth orës 06:00 u ngrita dhe menjëherë shkova tek garazhdi Byniaminit për të parë nëse ishte vellai aty apo jo. Afrohem rreth 5 metra larg garazhdit, dera e garazhdit ishte e hapur, brenda tij pashë Bynaimin Hajro, Kudret Zhuken, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Të shtrirë në dyshemenë e garazhdit të lidhur me tela me gjemba pashë vëllan tim Eduartin dhe Arjan Avdullan. S’kaloj as dy tre minuta mbasi unë mbërrita aty, të katër personat lidhën me një tel, tek ganxha e rimorkimit nga mbrapa, të një makine “Golf” me ngjyrë si gri, dy trupat e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullajt. Mbasi I lidhën të katër personat hypën në makinë dhe nisen drejt sheshit të lagjes “Vakëf”, dy kufomat I tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çonte në sheshin “Vakëf”. Unë nuk ju ndava nga mbrapa makinës që i tërhiqte këta zvarrrë deri te sheshi. Aty makina ndaloi e zbritën të gjithë me automatikë në dorë.

Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha shkuan dhe zgjidhen telin tek ganxha e makinës dhe nxjerrin prej saj një shishe qelqi e me lëngun që kishte ajo spërkatën dy trupat e Eduartit dhe të Arjanit. Ata i vunë flakën. Trupat muarën flakë dhe në këtë moment Arjan Avdullaji ngrihet në këmbë dhe filloi t’i shante të katërt. Në këtë kohë Gazmend Hoxha gjuajti me automatik me breshëri drejt Arjan Avdullajt dhe e la të vrarë në vend. Vëllai im duhet të ketë vdekur më parë pasi nga flakët s’ka reaguar.