Lajme

Vdes pas një aksidenti tragjik ish-ushtari i UÇK-së, Liman Musliu

Ish-ushtari i UÇK-së, Liman Musliu, ka vdekur pas një aksidenti tragjik. Kështu ka bërë të ditur Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes një postimi në Facebook.

“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari  i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në pozitën zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, shokëve, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve në FSK, duke vlerësuar lartë kontributin dhe shërbimin e tij ndaj atdheut , me nder dhe dinjitet në të gjitha periudhat.

Ngushëllime për ndarjen tragjike të ish ushtarit të UÇK-së, zyrtarit civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, Liman Musliu, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin tronditës për ndarjen tragjike të ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, zyrtarit civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, Liman Musliu.

Maqedonci tha se vdekja e Liman Musliut është një humbje e madhe për familjen dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe për mbarë popullin dhe institucionet e shtetit tonë.

“Do të kujtohet përherë përkushtimi i tij në shërbim të FSK-së dhe kontributi i lavdishëm i tij në mbrojtje të atdheut.  Duke ndarë dhembjen bashkë me gjithë pjesëtarët e FSK-së në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në emrin tim, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.