Lajme

Një asistent për tre nxënës me aftësi të kufizuar

Në shkollën ‘’Selman Riza’’ në Fushë-Kosovë, një asistent i trajton deri tre nxënës me aftësi të kufizuar. Shkollat janë në kërkim të këtyre asistentëve, mirëpo konkursi vazhdon të jetë i hapur në Drejtori të Arsimit, shkak i mungesës së personave të kualifikuar.

Mësimin po e vijojnë normalisht.

Në shkollën fillore ‘’Selman Riza’’ në Fushë-Kosovë, pjesë e procesit arsimor janë edhe një numër i fëmijëve me aftësi të kufizuar.

“Kemi gjithsej gjashtë nxënës që janë me diagnozë, ndërsa realisht kemi edhe disa të tjerë që nuk i kemi të diagnostifikuar për arsye se është një hezitim edhe nga ana e prindërve, edhe një pjesë të klasëve të para që duhet të kalojë tre mujorëshi pastaj kemi të drejtë ligjore t’i verifikojmë”, tha drejtori i shkollës,  Esad Simnica.

E për trajtimin e tyre në procesin mësimor janë vetëm dy asistentë.

Mirëpo sipas drejtorit të shkollës, Esad Simnica, kjo është e pamjaftueshme.

“Jemi mundu me e mbulu te secili ngapak sepse nevojat janë të tilla dhe nuk e kemi atë komoditetin që një asistent ta dërgojmë tek një nxënës siç ish dashtë t’jetë, por duhet dmth një asistent i ka dy e tre, dmth këto asistente i kanë nga dy e tre nxënës që i trajtojnë”, tha ai.

E në një tjetër shkollë, në mungesë të asistentëve, prindërit po u qëndrojnë pranë fëmijëve.

“Aktualisht në klasën e parë kemi një prind i cili qëndron në klasë, si grup avokues kemi kërkuar që të ketë mbështetje për këtë fëmijë dhe jo vetëm për këtë fëmijë por për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për asistent”, tha Mimoza Bytyçi-Rrahmani.

Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë thekson se nga shtatori i këtij viti janë në kërkim të asistentëve.

Kjo për shkak të mungesës së personave të pakualifikuar për këtë punë.

“Nga dhjetë vende që i kam kërku unë, adekuat kanë qenë vetëm katër, ndërsa ata kanë fillu punën qysh në fillim të vitit shkollor. Ndërsa në këto momente që po flasim, e kemi një konkurs të hapur për asistent për fëmijët me nevoja të veçanta edhe për gjashtë vende të tjera dhe po shpresojmë që kemi me pasë numër të interesuar”, tha Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Falum Berisha.

Në mungesë të asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar, nga kjo drejtori u bëhet thirrje prindërve për mirëkuptim, deri në plotësimin e vendeve për të cilat është hapur konkursi.