12
Gjysma e popullësisë së rritur të këtij globi gërrhet, diçka që për ekspertët është mëse normale.
Kur vjen puna tek fëmijët, gërrhitja në disa raste mund të jetë shkak për shqetësim.
Shkaktarët e gërrhitjes tek fëmijët
Një përllogaritje mesatare tregon se 1 në 10 fëmijë gërrhet natën. Një nga shkaqet kryesore të gërrhitjes tek fëmijet ka të bëjë me akumulimin e tepërt të indeve në pjesën e fytit që luajnë një rol pengues. Bajamet e mëdha ose mishi i huaj pengojnë frymëmarrjen e qetë dhe shkaktojnë gërrhitje.
Probleme të tjera që shkaktojnë gërrhitje janë:
Alergjitë,
Infeksionet e fytit,
Azma,
Kocka dhe kërci i devijuar i hundës,
Apnea e gjumit.
Kur Bëhet Shqetësuese Gërrhitja Tek Fëmijët
Prindërit duhet të shkojnë tek pediatri në rastet kur fëmija:
Gërrhet shumicën e netëve të javës,
Gërrhitja është shumë e shpeshtë gjatë natës,
Gërrhitja është shumë e zhurmshme,
Fle me gojë hapur,
Has vështirësi në frymëmarrje gjatë gjumit.
Këto probleme mund të sinjalizojnë apnean e gjumin, një problem që ka të bëjë me vështirësinë në frymëmarrje që mund të ndërpresë gjumin e fëmijës rregullisht.
Ndërprerja e gjumit mund të shkaktojë plogështi, lodhje, probleme me përqendrimin dhe vëmendjen tek fëmijët. Apnea nuk është shumë e përhapur tek fëmijët, por nëse ajo shfaqet mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore që prekin zemrën dhe mushkëritë.
Mbipesha dhe gërrhitja
Mjekët shpjegojnë se fëmijët mbipeshë dhe ata që lindin parakohe janë më të predispozuar të gërrhasin. Gërrhitja mund të jetë prevalente edhe tek fëmijët me Sindromën Down, ata të prekur nga çrregullimet neuromuskulare e të tjerë.
Trajtimet e nevojshme kundër gërrhitjes
Trajtimet kundër gërrhitjes mund të rekomandohen nga një pediatër. Kur bëhet fjalë për mishin e huaj dhe bajamet, pediatri mund të rekomandojë një ndërhyrje kirurgjikale. Nëse problemi qëndron tek mbipesha, pediatri mund të rekomandojë rënien nga pesha. Nëse fëmija vuan nga apnea e gjumit, mjeku sërish mund të rekomandojë rënien nga pesha ose një ndërhyrje kirurgjikale.
Sapo problemi me apnean e gjumit të zgjidhet, në 90 përqind të rasteve, fëmijët nuk gërrhasin më./AgroWeb