Prokuroria e Posaçme ka njoftuar këtë hënë dërgimin për gjykim të dosjes në ngarkim të Laert Haxhiut dhe nëntë personave të tjerë të akuzuar si pjesë e grupit kriminal që ai drejtonte. Sipas organit të akuzës, gjithçka ka nisur për hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij dhe më pas grupi ka vepruar kundrejt pagesës.
Lulzim Spahija (Arapi); Artan (Marjus) Tafani; Ligor Romacka; Bledar Berberi; Erisiano Abedini; Bujar Abedini; Mariglen Topuzi; Idriz Manej; Enriko Xhahysa janë marrë të pandehur dhe akuzohen për një sërë ngjarjesh kriminale, bashkë me Laert Haxhiun.
Në total janë 15 episode kriminale dhe njëri prej tyre lidhet me butikun e këngëtarit Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy.Ngjarja bëri bujë dy vite më parë, kur pas një konflikti mes dy reperëve Rigels Rajku dhe Kleviol Ahmeti, ky i fundit i kërkoi mikut të tij Laert Haxhiu që të vendoste tritol në butikun e Noizyt në Durrës, sepse ai e kishte rrahur.
Lënda plasëse shkatërroi pjesën ballore të butikut të njohur “Illyrian” në qytetin bregdetar dhe rasti u bë shumë mediatik, për shkak se në rrjetet sociale nisi një luftë e ashpër mes Kleviol Ahmetit që njihet me pseudonimin Cllevio Serbiano dhe Rigels Rajkut, apo Noizy.
Dy vite më pas, ngjarja është dokumentuar si episod kriminal në dosjen e SPAK dhe organi i akuzës i është dërguar me kërkesë Gjykatës së Posaçme, për dënimin e personave përgjegjës, në grupin e Laert Haxhiut.
“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy), ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme