Lajme

A mund të kompensohet personi i arrestuar gabimisht nga Policia në Ferizaj?

Policia e Kosovës arrestoi në Ferizaj një person gabimisht nën dyshimin për therje me thikë të katër personave. Njohës të fushës tregojnë se i njëjti mund të ankohet në Inspektoratin Policor të Kosovës por edhe në Këshillin Gjyqësor dhe të kompensohet për dëmin. Rastin po e heton Inspektorati Policor i Kosovës.

Të hënën u arrestua nga Policia e Kosovës në Ferizaj për një vepër që doli se nuk e kreu ai.

E.S nga ky qytet iu caktua masa e ndalimit policor pasi dyshohej për therjen me thikë të katër personave, dy prej tyre femra të mitura.

Mëngjesin e së martës, policia njoftoi që personi ishte arrestuar gabimisht dhe i dyshuari kryesor u paraqit në stacionin policor.

Rrethanat se si erdhi deri tek ky ngatërrim po i heton Inspektorati Policor i Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve për këtë rast. Në kuadër të këtij procesi përveç tjerash IPK ka kërkuar komplet dosjen e rastit nga Policia përderisa veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore”.

E ish-shefi i hetimeve në IPK, Jetullah Aliu tregon se institucioni i sigurisë ka vepruar në përputhje me autorizimet që i i përcakton  ligjit.

“Mandati i Policisë është parandalimi dhe luftimi i fenomeneve me fokus të veçantë kapja e kryerësve të veprave penale të cilët dyshohet se kanë kryer një vepër penale. Si rezultat i kësaj kanë ardhë deri te dyshimi mirëpo konsideroj se veprimet e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë kanë ardhë prapë si rezultat i këtyre informacioneve dhe është arrestuar personi i gabuar”, ka deklaruar ai.

E sipas avokatit, Asdren Bytyqi viktima në këtë rast ka të drejtë kompensimi për shkak se të njëjtit i është shpërndarë fotografia edhe në rrjete sociale.

“Konsideroj se në bazë të ligjit ka të drejtë dhe pastaj Gjykata bashkërisht me ekspertë do të vlerësojnë se sa ka mundur të ndikojë tek ai tek familja e tij, tek shëndeti i tij mendor dhe shpirtëror dhe sa ka mundur të prodhojë pasoja edhe për rrethana të tjera të punës ose rrethana sociale dhe pastaj mund të kërkojë nga KGJK-ja të kompensojë të njëjtin”.

Ndryshe, ndaj të dyshuarit kryesor Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.