Lajme

​Dy klinika të QKUK-së pritet të ofrojnë shërbime të reja për pacientë

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë inspektuar punimet në Klinikën Hemato-Onkologjike dhe në Klinikën e Nefrologjisë. Në këto dy klinika të reja pritet të ofrohen shërbime të cilat më herët pacientët kosovar i kanë marr jashtë vendit, për shkak se ato nuk ofrohen aktualisht në shëndetësinë kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se ky projekt ka vlerën 4.3 milionë euro dhe pritet të përfundoj brenda 24 muajve.

Kurti: Ky projekt e ka vlerën totale prej afër 4.3 milionë euro

“Ky projekt e ka vlerën totale prej afër 4.3 milionë euro dhe do të ofroj shërbime me standardet më të larta shëndetësore dhe për trajtimin e pacientëve me këto dy sëmundje të cilat tash do të fillojnë të trajtohen edhe në Republikën tonë e jo qysh qytetarët në vend që të shkojnë në spital për shërim të mendojnë se me cilën avio-kompani do të udhëtojnë jashtë vendit siç ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada. Pra, do të ketë qasje në shërbime të reja të cilat aktualisht nuk janë të disponueshme në vendin tonë. Ky është kapërcimi më i rëndësishëm që po bëhet në investimet në shëndetësi…Do t’i ketë tri nivele ndërtesa, bodrumin, përdhesen dhe katin e parë. Me ç’rast Nefrologjia e zë hapësirën prej 1094 metra katror në përdhese, Hematonologjia që është në katin e parë sipërfaqe prej 1610 metra katror dhe investimi ka sipërfaqen e përgjithshme prej 3 mijë e 760 metra katror. Afati i kontratës 48 muaj, kohëzgjatje e implementimit 36 muaj por neve këtu na u tha se kjo do të shkurtohet dhe në fakt synimi është të përmbyllet për 24 muaj”, tha ai.

Kryeministri, Kurti tha se me ndërtimin e kësaj klinike do të mundësohet ofrimi i dy shërbimeve të reja të cilat deri tani nuk janë ofruar.

Shërbimi i plazmaferenzës dhe transplantimi autolog i palcës kockore për leokemi akute janë dy prej shërbimeve që pritet tu ofrohen pacientëve kosovar.

Kurti: Shërbimet e reja i synojmë

“Janë shërbimet e reja që janë synimi jonë, sepse zhvillimi investimi bëhet me pacientin në qendër, është shërbimi i plazmaferenzës që përherë do të ofrohet në Kosovë dhe po angazhohemi që të ofrohet edhe biopsia e veshkës, dhe tjetra është transplantimi autolog i palcës kockore për leokemitë akute një mundësi i dërgonte pacientët tanë jashtë vendit për trajtim, por me përfundimin e këtij projekti do të zhvillohet brena QKUK-së”, theksoi Kurti.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se këto investime në infrastrukturën e shëndetësisë po bëhen sipas standardeve bashkëkohore.

Vitia: Ndërhyrjet e reja ofrojnë kushte bashkëkohore

“Shumica e objekteve janë objekte të ndërtuara katër, pesë e gjashtë dekada e më shumë dhe ato nuk i kanë plotësuar as për së afërmi kushtet bazike për një shërbim cilësor dhe bashkëkohor qysh e meritojnë qytetarët e Republikës dhe kjo është e mira që çdo investim që bëhet sot, çdo transforimim apo renovim në klinika, ndërtimet e reja të gjitha këto kushte përfshirë edhe komponentin e digjitalizimit sepse jemi duke punuar vazhdimisht edhe në kompenentin e SISH-it si një parakusht i domosdoshëm për sigurimet shëndetësore”, theksoi ajo.

Drejtoresha e Hematologjisë, Afërdita Ukimeraj u shpreh se kjo klinikë ka pas nevojë për hapësira me qëllim të trajtimit më dinjitoz të pacientëve.

Ukimeraj: Këto hapësira janë të domosdoshme

“Punimet po shkojnë shumë mirë, ecuri të paparashikuar si duket para dy viteve do të përfundoj ndërtimi, Klinika e Hematologjisë është një prej klinikave që ka pas nevojë të domosdoshme për një rritje të hapësirave për një trajtim sa më dinjitoz të të sëmurëve hemato-ologjikë sepse është një patologji që kërkon kujdes të veçantë prej të gjithë neve”, theksoi Ukimeraj.

Javë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është përuruar edhe Klinika e Ortopedisë. Ndërsa, gjatë këtij viti janë bërë renovime në Klinikën e Gjinekologjisë, Emergjencës etj.