LifeStyle

Kjo është mënyra për të mos u plakur kurrë

E ke përjetuar ndonjëherë atë përvojën e adoleshencës kur të dorëzojnë çelësat e makinës së parë dhe ti hyn në autostradë me xhamat hapur dhe ndihesh i plotfuqishëm, i pandalshëm? Kur i japim mëlçisë pa dashje gjëra të vogla që i nevojiten, ndonëse nuk mjaftojnë, janë tepër të vyera. Janë çaste fluturake arratisjeje dhe përtëritjeje, të cilat na sigurojnë çelësat e makinës së rinisë.

Megjithatë janë kalimtare. Nëse nuk ndërgjegjësohemi për rëndësinë e mëlçisë, do të jemi si ai adoleshenti i pathyeshëm, të cilit i duket vetja sikur i di të gjitha, derisa përplaset dhe aty merr fund udhëtimi i tij i bukur. Nëse je me fat, mbaron me kaq: me një aksident të vogël, një dëmtim apo bllokim të vogël të mëlçisë, një kambanë alarmi për pronarin, për ta paralajmëruar se duhet të kujdeset më mirë për “makinën”. Nëse e lë pas dore për një kohë të gjatë dhe nuk kujdesesh për të, nëse e lë të bëhet pis, të ndryshket apo të prishet, nuk është më aspak një makinë e re, por një karakatinë që zvarritet në rrugë.

Nëse nuk duam të plakemi përpara kohe, nuk duhet të lejojmë që mëlçia t’i marrë të gjitha goditjet. Nuk duhet që ajo të dëmtohet kaq shumë, sa të mos jetë në gjendje të na shoqërojë në të gjitha aventurat që kemi imagjinuar për veten. Ajo nuk ka nevojë për një çlirim të çastit, por për eliminimin e të gjitha goditjeve, që të jetë e shëndetshme natyrshëm. Kujdesi i vazhdueshëm për mëlçinë është sekreti i vërtetë i të dukurit dhe të qenit i ri. Me t’u fuqizuar, mëlçia kryen funksione speciale kimike që luftojnë plakjen. Disa prej këtyre funksioneve kanë të bëjnë me aftësinë detoksikuese. Për ta mbajtur mëlçinë në formë, që të kryejë siç duhet punën e saj, është jetike largimi i mbetjeve. Funksioni thelbësor kundër plakjes është aftësia e mëlçisë për të marrë një antioksidant rezervë ose të freskët, të përftuar nga burimi më i mirë i mundshëm, frutat, dhe për ta bashkuar me aminoacide rezervë e për ta dërguar këtë përzierje fitokimike në detin e gjakut me një mision të caktuar: të shmangë vdekjen e qelizave të shëndetshme. Nuk është njësoj si me antioksidantët që marrim direkt nga ushqimet, të cilët ofrojnë përfitime të tilla si parandalimi i oksidimit, duke pastruar radikalet e lira nga organizmi. Këta antioksidantë janë vërtet jetikë për të luftuar plakjen; ata janë mbrujtur nga ushqimet prej nga i marrim me një mision ripërtëritjeje, mbështetjeje dhe përmirësim të indeve në të gjitha organet dhe trupin tonë.

Antioksidantët e përforcuar nga mëlçia bëjnë edhe më shumë se kaq. Kur mëlçia i ndryshon disa lloje antioksidantësh, ajo i mbështjell dhe i kodon me një informacion special, duke u injektuar një recetë njohurish që e tejkalon thjesht mbështetjen e indeve; ajo ndalon vdekjen e qelizave. Ky proces përmirësimi na mbron nga vdekja. Është një koracë e vërtetë, jo iluzioni i mbrojtjes dhe fuqisë që na krijojnë yndyrat e pashëndetshme. Nga ana tjetër, kur i bëjmë keq mëlçisë, ajo vdes dalëngadalë prej luftërave dhe betejave, dëmtimeve për shkak të stilit të keq të jetesës dhe elementeve mjedisore që na kanë dalë jashtë kontrollit. Mëlçia plaket më shpejt se ne për të na mbrojtur, që të mos luftojmë aq herët sa ajo. Mëlçia lufton për na mbrojtur nga plakja. Nëse nuk di se si ta ndihmosh, vjen një ditë që dobësohet dhe nuk i kryen si duhet funksionet e saj kimike për të sekretuar antioksidantë të pasuruar me aminoacide, veçanërisht nëse nuk i rimbush rezervat duke konsumuar ushqimet e duhura.

Fuqia dhe aftësia e çmuar për ta kthyer kohën pas venitet teksa i bien bateritë. Në këto rrethana, është e detyruar ta kanalizojë energjinë, aq sa mundet, në funksionet kimike që shërbejnë për të na mbajtur gjallë.

Shkëputur nga libri “Shpëtimi i Mëlçisë”, botimet Living!

Kjo është mënyra për të mos u plakur kurrë