Lajme

E mitura drogohet dhe ab*zohet s*ks*alisht, detaje nga rasti në Drenas

Policia e Kosovës ka raportuar se një e mitur në Drenas është abuzuar seksualisht dhe i është dhënë substancë narkotike e llojit kokainë. Tëvë1 mëson se e mitura ka qenë duke u abuzuar për tre muaj radhazi. I dyshuari është arrestuar. Ndër të tjera Policia njofton se deri më tani janë raportuar në Polici 61 raste të dhunimeve seksuale.

Fillimisht i është dhënë substancë narkotike të llojit kokainë.

E më pas e mitura nga Drenasi është abuzuar seksualisht nga i njëjti person.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Viktima femër kosovare e mitur, ka informuar se nga i dyshuari mashkull kosovar, i është dhënë substancë narkotike e llojit kokainë, dyshohet se më pas me viktimën është abuzuar seksualisht. Lidhur me rastin, një i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet nga Policia.

Nga Prokuroria tregojnë se i dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

“Ju njoftojmë se rasti është inicuar për shkak të veprës penale Intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope dhe dhunimi, kurse me vendim të prokurorit të shtetit një person është ndaluar për 48 orë, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës prokurori i shtetit është duke e hetuar rastin, ndërsa më shumë informata në këtë fazë të procedurës nuk mund të publikohen”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Nga ana tjetër, të dhënat nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur për televizionin se nga Janari deri më tani, janë iniciuar 61 raste të dhunimeve seksuale.

E sociologu Genc Xërxa thotë se mund të ketë edhe raste që nuk raportohen në Polici.

“Na nevojitet ndonjë lloj edukimi seksual i gjithëmbarshëm shoqëror. Këto raste që po dalin e po vinë në pah të raportime por mund të ketë edhe raste të tjera të cilat domosdoshmërisht ndoshta edhe nuk raportohen për shkak të rrethanave të kontekstit të ndryshëm kulturor, social që i kemi në familjet tona. Duhet ta kuptojmë që gjërat me dhunë apo me sforcim nuk shkojnë para duhet ti dimë limitet tona”, shprehet ai.

Ai ndër të tjera tha se duhet një angazhim më i madh i institucioneve që sa më shumë të minimizohen këto raste të dhunimit seksual.