22
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë ka marrë sot vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për grupmoshat 1-5, 6-9 dhe 10-12 në të gjitha shkollat e kryeqytetit, shkruan Insajderi.
Ajo i bëri thirrje edhe komunave të tjera që të ndërmarrin hapa të ngjashëm për të ndaluar përdorimin e këtyre materialeve në shkollat e tyre.
Sipas saj, përmbajtja e doracakëve është e paprecedentë dhe abuzive për familjen kosovare, duke e cilësuar si skandaloze miratimin e materialeve nga Ministrja e Arsimit.
Ajo theksoi se këto materiale, në vend që të ofronin një diskutim të përshtatshëm për edukimin seksual, përfshijnë aktivitete praktike të cilat mund të dëmtojnë fëmijët.
Në reagimin e saj, Drejtoresha e Arsimit deklaroi se, me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në pushtet, synohet të rivendoset dinjiteti i mësimdhënësve dhe siguria e institucioneve arsimore, duke ofruar një mjedis ku fëmijët janë të mbrojtur dhe marrin njohuri të përshtatshme.
Lushaku-Sadriu premtoi gjithashtu se LDK-ja do të sigurohet për përfshirjen e profesionistëve të aftë që do të kontrollojnë cilësinë e materialeve shkollore që aprovohen nga Ministria e Arsimit.
Ajo përmendi se “abuzimi me tekste është abuzim me pushtetin, me familjen dhe fëmijët,” duke shprehur shqetësimin se doracakët po përdoren për qëllime që rrezikojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.
Gjithçka nisi pas një përplasje që ish-deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani pati me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci mbi përmbajtjen e këtyre doracakëve, përmbajtjen të cilën Rrahmani e cilësoi “degjenerim”.
Qeveria Kurti, përkatësisht Ministria e Arsimit është distancuar duke thënë se përpilimi i tyre ka nisur në vitin 2016, në kohën kur ministër ishte Arsim Bajrami (PDK) dhe u pranua në kohën kur ministre ishte Hykmete Bajrami (LDK).