Lajme

Pas Prishtinës, edhe Skenderaj dhe Fushë-Kosova ndalojnë përdorimin e doracakëve për edukim s*ksual

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt ka njoftuar se të enjten ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” në të gjitha shkollat e komunës.

Sipas drejtorit për Arsim në këtë komunë, Kastriot Durakut, arsyeja e marrjes së këtij vendimi ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt, ka marrë sot vendim për ndalimin e përdorimit  të Doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” 1-5, 6-9, 10-12, në të gjitha shkollat e komunës. Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka thënë se arsyeja e këtij vendimi, i cili është marrë në mirëkuptim dhe bashkëpunim me mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave, ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

Një vendim të tillë për mos aplikimin e përdorimit të këtyre doracakëve, të enjten e ka marrë edhe komuna e Fushë-Kosovës.

Në njoftim ndër të tjera thuhet se besojnë që kjo përmbajtje është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët.

“Sot kemi marrë vendim për mos aplikimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Komunës së Fushë-Kosovës. Përfaqësuesit e Komunës së Fushë Kosovës nga Drejtoria e Arsimit edhe gjatë diskutimeve me MASHT lidhur me këtë temë kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e udhëzimeve ku janë paraparë aktivitete në praktikë – prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka marr për bazë vërejtjet dhe shqetësimet e arsyeshme të shprehura nga zyrtarët kompetent të fushës së arsimit e përfaqësuesve të prindërve dhe përmbajta si e tillë e miratuar nga MASHT është e dëmshme dhe e papranueshme. Ne besojmë se kjo përmbajtje është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët dhe besojmë fuqishëm që ky vendim për mos aplikimin e doracakëve është në interesin e nxënësve dhe prindërve të komunës sonë”, theksohet në njoftim.

Ndryshe, të enjten drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku- Sadriu, ka njoftuar se ka marrë vendim për të ndaluar përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues”, për klasat nga 1-12 në të gjitha shkollat e Prishtinës.

Vendimin e Komunës së Prishtinës e ka mbështetur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Lumir Abdixhiku i cili ka kërkuar që një veprim i tillë të ndërmerret nga të gjitha komunat e Kosovës./teve1.info