Lajme

Priten zhvillime të forta, Halilaj ‘zbërthen’ deklaratën e Trendafilova-s – ‘godet’ Thaçin e të tjerët!

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova ka njoftuar se rasti kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi mund të përfundojë në prill të vitit 2025.

Trendafilova tha se Prokuroria i ka komunikuar se janë 43 dëshmitarë dhe data e fundit është 8 prilli për t’i dëgjuar.

E në lidhje me këtë çështje, avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot”, i cili tha se përfundimi i gjykimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së varet nga shumë faktorë të ndryshëm.

Po ashtu, përmendi edhe procedurën e administrimit të provave dhe marterialeve dëshmuese.

“Referuar deklaratës së znj. Trëndafilova, varet nga një rrethanë e ardhshme e pasigurt, sepse vetë fakti që thotë, mund të përfundojë në prill-2025, tregon që është çështje që varet nga shumë faktorë.

Tani për tani janë duke u dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga organi akuzues, pastaj mund të ketë dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e të pandehurve, e që mund të thirren edhe nga vetë trupi gjykues.

Tutje, fillon procedura e administrimit të provave dëshmuese dhe material, siç mund të jenë: masat e fshehta, raportet e mjekësisë ligjore, raportet e krimteknikës, ekspertizat balistike, të ADN toksikologjike, kompjuterike etj.

Pastaj, gjithnjë sipas dispozitave imperative të Kodit të procedurës, kalohet në dëgjimin e të pandehurve, dhe pas dëgimit të tyre, gjykata pyet palët në procedurë nëse kanë propozime për nxjerrjen e provave të reja”, theksoi ai.

Po ashtu, Halilaj potencoi edhe mundësinë e daljes së provave të reja, të cilat do mund ta ndryshonin edhe rrjedhën e gjykimit.

“Në këtë fazë lejohet nxjerrja e provave të reja nëse deri më tani nuk kanë ekzistuar apo nëse kanë ekzistuar, por gjykata prokuroria apo mbrojtja e të pandehurve nuk e kanë ditë për to, e po ashtu këto prova duhet të jetë të pranueshme, besueshme dhe me relevancë për epilogun e procesit.

E nëse jo, atëherë kalohet në fjalën përfundimtare të palëve ku zakonisht gjykata duhet t’u japë kohë të mjaftueshme palëve për ta përgatitur dhe paraqitur fjalën përfundimtare me shkrim, dhe pas dhënies së saj natyrisht trupi gjykues tërhiqet për këshillim dhe votim, ndërsa shpallja bëhet pas zakonisht tri ditë, por në raste të komplikume edhe më gjatë”, nënvizoi avokati.

Më tej, ai shtjelloi edhe procesin e hartimit të aktgjykimit, derisa potencoi se edhe çfarë aktgjykimesh mund të vendosë gjykata.

“Tutje, hartimi i aktgjykimit parimisht duhet të bëhet në afat brenda 30 ditë, por me kërkesën e arsyetuar të trupit gjykues dhe me lejen e e kryetarit të gjykatës mund të shtyhet deri në 60 ditë.

Ku në këto raste gjykata patjetër vendos me aktgjykim meritor, aktgjykim meritor nënkupton fajësues apo dënues sepse çështja vendoset në themel.

Kjo është përsa i përket procedurës pranë gjykatës së shkallës së parë, kuptohet nëse gjithçka shkon në rregull, megjithëse ligji lejon dhe situata tjera siç mund të jenë, ndryshimi i aktakuzës, në aspektin subjektiv, objektiv, ngushtimi, zgjerimi i saj, etj., që varësisht prej situatës ligjvënësi ka përcaktuar pastaj edhe rregullat e procedurës që duhet ndjekur”.

Ndër të tjera, avokati vlerësoi se deri tani mbrotja e ka bërë një betejë shumë të zbehtë me prokurorin e shtetit, ku tha se të akuzuarit janë marrë me çështje krejtësisht të parëndësishme.

“Unë si qytetar dhe profesionist shoh që deri më tani është duke u zhvilluar një procedurë strikte ligjore dhe një betejë shumë e zbehtë nga ana e mbrotjes dhe prokurorit të shtetit, sepse siç kam vërejt unë, asnjëherë të akuzuarit dhe mbrojtësit nuk kanë atakuar thelbin e aktakuzave, por janë marrë me çështje krejtësisht të parëndësishme dhe kjo do t’i godasë vetë të pandehurit të cilët do ta kuptojnë më vonë.

E sa i përket pyetjes se çka presim në fund të këtij procesi, une nuk kam asnjë dyshim, që procesi do të finalizohet me aktgjykim meritor dënues, dhe atë një aktgjykim i bazuar në prova dhe fakte përtej dyshimit të bazuar, i nxjerrur në procedurë strikte ligjore”, shpjegoi Halilaj.

Në fund, shtoi se nuk qëndron fakti se Specialja gjykon luftën e UÇK-së, por veprimet e individëve.

“Ndërsa, klithmat e atyre që gjykata po dënon luftën e UÇK-së, siç kam theksuar më herët kjo duhet të nënkuptohet si gënjeshtra e shekullit.

Sepse kjo gjykatë është e Kosovës, mbi 90% të dëshmitarëve janë shqiptarë, dhe të pandehurit janë duke u akuzuar më individualisht për veprimet e tyre në kohë dhe vend të caktuar, andaj ne si shtet dhe si popull duhet të kemi besimin e plotë dhe ta mbështesim punën e kësaj gjykatë në maksimum duke krijuar një klimë të sigurt dhe trajtim tejet të ndershëm për dëshmitarët dhe gjithë mekanizmat ligjor që marrin pjesë në procedure”, përfundoi Gazmend Halilajt për “Bota sot”.