Lajme

Shkollat në “hall” me nxënësit e rrezikshëm

Para pak dite ndodhi një përleshje mes nxënësve në shkollën ‘’Shtjefën Gjeçovi’’ në Prishtinë. Gjatë këtij viti shkollor u gjetën edhe mjete të ftohta. Stafi shkollor ka një kërkesë për institucionet.

Ishin duke zhvilluar një takim lidhur me rastet e dhunës.

Por gjatë kësaj kohe që stafi i shkollës së mesme “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë ishte i zënë, filloi një përleshje mes nxënësve.

E gjithë kjo ndodhi gjatë javës së kaluar brenda objektit shkollor.

“Atë ditë kishim një takim për rastet në shkollë që i kemi, ndërkohë në klasën lart ata ishin përleshur mes vete, njëri në mënyrë private e lajmëron policinë. Ka qenë i suspenduar, ka kalu për 48 orë në mbajtje”, thotë Bahtjar Halili, psikolog në shkollën “Shtjefën Gjeçovi.

Halili thekson se lidhur me këto raste, mungon bashkëpunimi nga ana e prindërve.

“Sa i përket këtyre problematikave që ndodhin, janë persona që realisht nuk bashkëpunojnë familjet. I thirrim prindërit, e shpesh herë na duhet që të bashkëpunojmë edhe me Policinë e Kosovës që me shku me e thirrë prindin me ardhë me u përgjigjë nevojave tona në shkollë në raport me fëmijët e tyre”, shprehet ai.

E përveç përleshjeve, në këtë shkollë janë gjetur edhe mjete të ftohta.

“Kemi gjetur dy herë nga një thikë, jo ndoshta të shkallës së rrezikshmërisë, me dimensione jo shumë të mëdha, por kemi zbuluar edhe një mjet të fortë, që po e quajnë nxënësit boks të hekurit. Këto tri mjete për këta tre muaj e gjysmë”, thotë drejtori i kësaj shkolle Blerim Gërvalla.

E ndaj këtyre nxënësve, shkolla ndërmori masa disiplinore.

Megjithatë drejtori Blerim Gërvalla ka një kërkesë për institucionet.

“Me gjetë një modus shteti, me bo një shkollë të kategorisë së atyre personave edhe me u merr njerëzit e specializum”, shprehet ai.

Tëvë1 ka kërkuar nga Policia e Kosovës se sa raste të përleshjeve kanë ndodhur gjatë këtij viti mes nxënësve, si dhe kontrollet që po i bëjnë, mirëpo deri në publikimin e kronikës të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.

Vetëm javën e kaluar ndodhën dy përleshje mes nxënësve, një në afërsi të gjimnazit ‘’Ahmeti Gashi’’ në Prishtinë e tjetra në qendër të qytetit të Malishevës.