Lajme

Osmani: Do të bëjmë çmos që të mos bëhet asnjë hap prapa për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Koordinimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në rajon, është vendimtar sipas presidentes së vendit, Vjosa Osmani. Ajo është deklaruar rreth shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut se atje po rrezikohen të drejtat e tyre.

Osmani, në adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se do të bëjnë “çmos që të mos bëhet asnjë hap prapa”.

“Në të njëjtën kohë shohim shqetësime të shumta në mesin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut sa i përket të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit dhe dua t’i siguroj të gjithë që do të bëjmë çmos që të mos bëhet asnjë hap prapa por vetëm përpara. Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizmin dhe integrimin euroatlantik të vendit, prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, duhet të ketë koordinim të vazhdueshëm në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sa i përket të drejtave të shqiptarëve në rajon.

“Koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në veçanti për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë por mbi të gjitha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në të gjithë rajonin e kudo tjetër që jetojnë ata, është vendimtar për suksesin tonë dhe për ecjen përpara drejt familjes euroatlantik, aty ku e kemi vendin dhe e meritojmë”, ka thënë Osmani.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, Osmani ka folur edhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Ajo ka përmendur pasivizimin e adresave derisa ka thënë se gjykatat e politizuara në Serbi po e mirëmbajnë diskriminimin.

Sot ka akoma shqiptarë në rajon që përballen me vështirësi e shkelje të të drejtave të njeriut. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, spastrimi etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave, shkelje kjo e konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian, departamenti amerikan i shtetit e të tjerë, tashmë ka marrë edhe vulën e gjykatave tërësisht të politizuara të Serbisë të cilat po e mirëmbajnë diskriminimin. Fatkeqësisht reagimi ndërkombëtar ndaj këtyre shkeljeve po mungon. Përkundër shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Serbi po mungojnë, po ashtu veprimet në raport me Serbinë sa i përket marrjes përgjegjësi për këto shkelje”, ka thënë ajo./KP