Lajme

Kurti: Qëllimi i Serbisë është hakmarrja, duhet të jemi të përgatitur për këtë

Kryeministri, Albin Kurti tha se Kosova duhet të përgatitet për një hakmarrje nga Serbia.

Madje ai shton se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke e mashtruar Perëndimin, i cili nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti   “Serbia e Madhe”.

“Vuçiq thjesht po mashtron Perëndimin. Elita që dominon vendin nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Thjesht quhet diçka ndryshe tani, domethënë ‘Bota Serbe’. Kjo do të thotë bashkim i të gjithë serbëve në një vend. Kjo do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për median zviceran, NNZ.

“Kjo është pikërisht ajo që Vuçiq dëshiron të bëjë me Kosovën. Ushtron durim strategjik, por synimi mbetet hakmarrja. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”.

Kurti ka folur edhe për zgjedhjen e Donald Trumbit si president i SHBA-së. Ai thuhet se ka thënë se Trump nuk paraqet rrezik për Kosovën.

“Kosova ka punuar mirë me presidentët e të dyja partive. Ajo u çlirua në vitin 1999 nën demokratin Bill Clinton, dhe George W. Bush, një republikan, ishte president kur Kosova u bë e pavarur më 2008”, citohet Kurti.