
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Studio Harcourt
Nga Karla Otto, Omega e tashmë në Peter Nitz karriera e Gent Hoxhatit duket si një udhëtim luksi. Menaxheri i suksesshëm i kompanive gjigante rrëfen për “Bordo” rrugëtimin e tij ambicioz, jetën mes VIP-ave të A listës ndërkombëtare, si dhe çfarë e mban atë nga ana tjetër një djalë shumë modest dhe të thjeshtë.
Peter Nitz është brandi luksoz zviceran ku ju keni postin e drejtorit të komunikacionit. Sfidë sa e bukur aq edhe me shumë përgjegjësi….
Peter Nitz, si një markë luksi, kërkon një qasje të kujdesshme dhe të sofistikuar në komunikim. Si drejtor i komunikacionit, kam përgjegjësinë të menaxhoj dhe ndërtoj imazhin e markës në tregun global, duke siguruar që çdo mesazh të jetë në përputhje me vizionin dhe vlerat e Peter Nitz. Kjo përfshin menaxhimin e marrëdhënieve me mediat, koordinimin e fushatave globale të PR-it dhe krijimin e partneriteteve strategjike me VIP-a , influencer dhe personalitete të industrisë. Sfidat dhe bukuria e kësaj pozite vijnë nga natyra dinamike e industrisë së luksit.
Në serialin “Emily in Paris” një çantë Peter Nitz e mbajtur nga protagonistja u kthye në virale. Si u zgjodh pikërisht ajo çantë për të qenë pjesë e serialit?
Në fakt kjo çantë u krijua posaçërisht për yllin hollivudian, Anne Hathaway. Bashkëshorti i saj, Adam Shulman, është një nga personat pas brandit James Bank Design me të cilin Peter bashkëpunon shpesh. Rastësia bëri që Lilly Collins e pa këtë çantë, duke qenë se Anne dhe Lilly janë shoqe të mira. Sapo e provoi Lilly ra në dashuri me çantën dhe kërkoi ta kishte në pjesën e 4 të serialit “Emily in Paris”. Sipas saj, simboli i fluturës përputhej plotësisht me metamorfozën që kalon personazhi i saj në këtë pjesë të serialit.
Keni patur po ashtu postin e menaxherit të marketingut në kompaninë e gjigantit të prodhimit të orëve, Omega. Si jeni ndjerë në një pozicion të tillë?
Si menaxher marketingu global përgjegjës për marrëdhëniet me VIP-at dhe influencerat në Omega, ndjeja një përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe një krenari të thellë. Ishte një nga arritjet më të mëdha të karrierës sime, sepse Omega është më shumë se një markë orësh, është një ikonë globale që përfaqëson histori, inovacion dhe stil të përjetshëm. Një aspekt që më bëri përshtypje të thellë, ishte fakti se Omega nuk kishte nevojë për prezantim, kudo që shkoja, të gjithë e njihnin dhe e respektonin markën. Të punoja në një nivel të lartë, për një gjigant të tillë ishte një privilegj i madh. Si shqiptar, ishte edhe më emocionuese sepse ndjeja se po përfaqësoja jo vetëm veten, por edhe vendin tim, në një arenë globale.
Brandet elitare të luksit priren të jenë tejet tradicionale kur bëhet fjalë për marketingun. Si ja keni dalë ju të bëni marketing digjital, që të përshtatet me atë çfarë kërkon Omega?
Marketingu për marka elitare si Omega kërkon një qasje të kujdesshme, për të ruajtur ekuilibrin midis traditës dhe risisë. Është e domosdoshme edhe për markat elitare të kenë relevancë me audiencat më të reja. Ata do të jenë klientët e së ardhmes. Misioni im ka qenë pikërisht të krijoj e të ruaj këtë ekuilibër, por në të njëjtën kohë duke e bërë Omegen tërheqëse për gjeneratat e reja, si gjenerata Y dhe Z, të cilat janë të përfshira thellë në rrjetet sociale dhe influencohen nga trendet digjitale. Një nga kanalet e komunikimit kryesore për të arritur këtë ishte marketingu i influences, një strategji shumë efektive për të bërë markën të njohur në këto gjenerata. Duke bashkëpunuar me VIP-a dhe influencer të përzgjedhur me kujdes, të cilët ndanin vlerat dhe estetikën e Omega, ata shërbyen si ambasadorë të markës. Gjeneratat e reja janë më skeptike ndaj reklamave tradicionale. Gjeneratat Y dhe Z shpesh identifikohen me influencerët që ndjekin dhe kanë një lidhje emocionale me ta. Ky fenomen shpesh i bën mesazhet dhe promovimet e tyre shumë efektive.
Brandet ku ju keni punuar kanë klientelë VIP. Cilët prej tyre keni takuar personalisht dhe kush ju ka lënë më shumë mbresa?
Natyra e punës sime ka qenë e tillë, që të kem qenë në kontakt me shumë VIP-a. Mund të përmend këtu figura publike shumë të njohura, si, Jessica Alba, Amanda Seyfried, Karl Lagerfeld, Kate Moss, George Clooney, Daniel Craig, Zoé Kravitz, Theo James, Miriam Leone, Jonathan Bailey, Marco Mengoni, Manu Rios, KJ APA, si dhe influencera, si, Chiara Ferragni, Lena Situations, Jacob Rott, Ninja (gamer), Jay Alvarez etj. Një takim mbresëlënës ka qenë ai me divën e jazz-it, Melody Gardot. Sot mund të them se jemi bërë miq. Flasim shumë për pasionin e përbashkët që kemi për muzikën. Unë shkruaj dhe në një blog kur bëj recensionet e albumeve të reja që dalin në treg. Melody përjetoi një aksident të rëndë me biçikletë në moshën 18-vjeçare, që i shkaktoi dëmtime serioze të trurit dhe dhimbje kronike. Si pjesë e rehabilitimit të saj, mjekët i sugjeruan muzikën për të përmirësuar kujtesën dhe shërimin. Ajo filloi të mësonte kitarën dhe pianon, duke kompozuar këngë që përjetësonin dhimbjen dhe procesin e saj të shërimit. Muzika jo vetëm që e ndihmoi të rikuperohej, por e shndërroi edhe në një prej zërave më të njohur të jazz-it bashkëkohor, duke provuar fuqinë shëruese të artit.
Çfarë ju bën më shumë përshtypje në formën sesi punohet në kompani të tilla gjigante?
Një nga aspektet që më bën më shumë përshtypje në kompanitë gjigante, është mënyra se si çdo detaj i vogël është i lidhur me një vizion të madh dhe strategji globale. Puna në një kompani të tillë kërkon një sens të thellë bashkëpunimi ndërmjet departamenteve, duke bërë të mundur që çdo fushatë marketingu të jetë në harmoni me objektivat e markës dhe me standardet më të larta.
Si e kujtoni momentin kur patët kontakt për herë të parë me këtë botën e luksit?
Momentin e parë që kujtoj nga bota e luksit është në Tiranë në vitet ’90. Isha në dyqanin e parë të vërtetë luksoz në Tiranë te hapur nga stilistja Eni Velcani. Aty për herë të parë mora në duar një kostum të bardhë nga Helmut Lang, i cili për mua ishte një simbol i një stilisti vërtetë vizionar. Ajo ishte më shumë se një blerje, sepse pasioni im për Helmut Lang ishte i madh, ai ishte një vizionar i vërtetë i viteve ’90, duke sjellë një estetikë unike: minimalizëm, thjeshtësi, por në të njëjtën kohë një forcë të jashtëzakonshme, që kapte thelbin e modernitetit.
Nga Karla Otto, Omega, Peter Nitz, etj… karriera juaj duket si një udhëtim luksi. Çfarë ju mban juve nga ana tjetër një djalë shumë modest dhe të thjeshtë?
Unë mendoj se thjeshtësia dhe modestia janë shenja të vërteta të vetëbesimit dhe përvojës. Virtyti i vërtetë nuk qëndron në atë që kemi arritur, por në mënyrën se si sillemi ndaj të tjerëve. Të jesh i suksesshëm dhe modest njëkohësisht nuk është kontradiktë, por një shprehje e forcës së karakterit. Pavarësisht pozicioneve tona, është respekti dhe njerëzia që lënë gjurmë te të tjerët.
Ëndrrat e viteve më parë, kur ju Genti jetonit në Tiranë i ngjajnë sadopak realitetit që ju keni sot?
Ëndrrat e atyre viteve, kur jetoja në Tiranë, janë si shenja të një rruge që vazhdojnë të më udhëheqin. Një udhëtim i gjatë, plot peripeci dhe sfida, ka formuar çdo hap të jetës sime. Shumë ëndrra janë kthyer në realitetin që jetoj sot. Por, ndërsa kam arritur shumë gjëra, një pjesë e imja mbetet e lidhur me ato ëndrra të fëmijërisë, pasi ato janë ende brenda meje, si një frymëzim që nuk ka pushuar kurrë së jetuari. Kam ende një ëndërr të fshehur në sirtar: të shkruaj një skenar filmi.
Po jeta private, sa hapësirë ju lë profesioni juaj për të?
Është e rëndësishme të gjesh kohë për t’u rigjeneruar, për të kaluar kohë me ata që do, për ‘hobby-t’ e tu dhe për të ruajtur lidhjet e thella që të japin kuptim dhe qetësi. Profesioni im kërkon shumë energji dhe përkushtim, por po ashtu më ka mësuar se suksesi në punë, është gjithashtu i lidhur me mirëqenien e brendshme dhe balancimin e jetës personale me atë profesionale. Për mua, ky ekuilibër është çelësi për të ruajtur kreativitetin dhe energjinë e nevojshme, për të qenë në kulmin e performancës.
bal