Lajme

Tahiri thotë se AKI duhet ta denoncojë Gërvallën

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Abelard Tahiri, ka reaguar pas publikimit të një audio- incizimi të publikuar nga “Paparaci”, në të cilin Rilind Gërvalla implikon direkt AKI-në në skandalin e lajmit të rrejshëm kundër dy mediave kosovare.

Tahiri, përmes një postimi në facebook është shprehur se sot është konfirmuar se si Gërvalla e ka përfshirë këtë agjenci për qëllime të propagandës së ulët të pushtetit, duke e shndërruar RTK-në në media partiake.

“Në audio-incizimin e publikuar sot nga Paparaci, Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, e ka përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë në skandalin e madh të keqpërdorimit të transmetuesit publik si mjet të trillimit të shpifjeve dhe të pavërtetave për mediat e lira dhe të pavarura, të cilat rrezikuan jetën e dhjetra gazetarëve në vendin tonë.

Sot, u konfirmua se si Rilind Gërvalla e ka përfshirë këtë agjenci për qëllime të propagandës së ulët të pushtetit, duke e shndërruar RTK-në në media partiake, ndërsa AKI-në si pjesë e organizimit dhe orkestrimit të lajmeve shpifëse që trazuan themelet e fjalës së lirë në Kosovë dhe zgjuan edhe reagime të panumërta nga organizata vendore e ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, në këtë situatë AKI duhet ta denoncojë Gërvallën.

“Në këtë situatë, vetëm denoncimi dhe kallëzimi penal nga AKI kundër Rilind Gërvallës dhe i personave të tjerë të përfshirë, paraqet veprimin minimal dhe të domosdoshëm për të dëshmuar mbrojte të imazhit dhe integritetit të saj institucional.

Nëse AKI nuk e bën një denoncim të tillë, atëherë e konfirmon rolin e saj organizues në këtë skandal të turpshëm e të pashembullt”, ka shkruar Tahiri.