Lajme

Lazim Destani, Ditën e Flamurit e festoi bashkë me mërgimtarët në Danimarkë

Filantropi i njohur Lazim Destani festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit e ka kaluar dhe e ka shijuar në mesin e bashkatdhetarëve të Danimarkës, në kryeqytetin Kopenhagë, tek siç tregon z. Destani

Falë organizimit të shkëlqyer nga mërgimtarët tanë në kryeqytetin danez, ne kaluam dy ditë të këndshme (27-28
nëntor) me plot aktivitete kulturore si dhe çaste te bukura festive.

Përshtypjet nga mikpritja e mërgimtarëve dhe aktiviteteve të shumta të organizuara për festën, z. Destani i ka shënuar në rrjetet e tij sociale.

Postimi i plotë
I ftuar nga bashkatdhetarët tanë në Danimarkë, sivjet pata kënaqësinë që Ditën e Flamurit ta festoj në mesin e tyre në Kopenhagë. Falë organizimit të shkëlqyer nga mërgimtarët tanë në kryeqytetin danez, ne kaluam dy ditë të këndshme (27-28 nëntor) me plot aktivitete kulturore si dhe çaste të bukura festive.
Aktivitetet nisën me vizitën që realizuam te shkolla shqipe në lagjen Tingbjerg të Kopenhagës. Gjatë kësaj vizite ne takuam mësuesit dhe nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle, që këtu mësojnë gjuhën, historinë dhe kulturën tonë kombëtare.
Në këto aktivitete me karakter festiv ishte i ftuar dhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili kishte sjellë në Kopenhagë dhe një grup valltarësh e këngëtarësh nga Shoqëritë Kulturo-Artistike ‘Xheladin Zeqiri’ nga Tetova, ‘Emin Duraku’ dhe ‘Karshiaka’ nga Shkupi, si dhe një ekip futbolli (U18) nga shkolla e futbollit e Klubit Shkëndija.
Për kënaqësinë e bashkatdhetarëve tanë me punë në Danimarkë, skuadra e futbollit nga Tetova bëri këtu dy ndeshje të bukura futbolli, njërën me skuadrën daneze Bronshoj Boldklub dhe tjetrën me KF Liria, një Klub i themeluar nga diaspora jonë në këtë vend.
Aktiviteti qendror i këtyre dy ditëve ishte sigurisht koncerti festiv, i drejtuar nga artisti Jetmir Rexhepi, që u mbajt mbrëmë në nderim të Ditës së Flamurit.
Atmosferë jashtëzakonisht të bukur dhe emocion këtu sollën valltarët e këngëtarët e mrekullueshëm që nga Tetova, Shkupi e Kumanova, kishin ardhur enkas për të festuar bashkë me mërgimtarët tanë e për t’u sjellë atyre këngë e valle burimore të folklorit tonë kombëtar.
Me këtë rast, falënderoj organizatorët për ftesën, për pritjen e ngrohtë vëllazërore dhe për organizimin e përkryer të gjithë këtyre aktiviteteve.
Faleminderit poashtu gjithë ju bashkatdhetarëve për emocionet e bukura që përjetuam së bashku, ndërsa ju përgëzoj për arritjet tuaja në këtë vend skandinav si dhe për përkushtimin tuaj ndaj ruajtjes e kultivimit të vlerave kombëtare dhe lidhjeve tuaja me atdheun.